Ndërron jetë nobelistja Lessing

17/11/2013 18:50

Ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare, në Londër, shkrimtarja britanike, fituese e çmimit Nobel për Letërsinë, Doris Lessing.

E njohur më së shumti për atë që cilësohet një libër pioner, “Shënimet e arta”, apo siç e ka quajtur dhe vet ajo, bibla e emancipimit për çdo grua që kërkon më shumë, Lessing ishte një jokonformiste e pëlqyer dhe vlerësuar nga breza të tërë.

“Shkrimtare e jashtëzakonshme me një mendje krejtësisht origjinale e mahnitëse”, – thotë menaxheri dhe miku i saj i vjetër, Jonathan Clowes.

“Një tregimtare e pashoqe, me intelekt të ashpër e zemër të ngrohtë, e cila nuk kishte frikë të luftonte për atë që besonte, – është përshkrimi, që i bën Charlie Redmayne, i Harper Collins UK. – Ishte një privilegj të punonim me të; do të na mungojë shumë”.

Lessing u shndërrua në shkrimtaren më të moshuar fituese të Nobelit për Letërsinë, kur mori në vitin 2007 çmimin prestigjioz, si nderim për punën e bërë gjatë një jete të tërë. Asokohe ishte 88 vjeç.

Ndër librat e tjerë të famshëm të saj përmenden “Fëmija i pestë” dhe “Vera para errësirës”. Edhe pse “Shënimet e arta” janë etiketuar një far për feminizmin, shkrimtarja e ka distancuar veten nga lëvizja feministe.

Lessing është autore e më shumë se 50 romaneve, me tema që nisin nga politika e përfundojnë te fantashkenca.

Top Channel