Tjetër evazion në fushën e naftës

16/11/2013 00:00

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka zbuluar një tjetër rast evazioni në fushën e naftës, i disati në ditët e fundit. 

Këtë herë ka qenë një kompani me emrin “Trading Petroil & Drilling”, e cila sipas doganës ka fshur 28.3 milionë lekë. Pas këtij konstatimi doganat e kanë gjobitur kompaninë edhe me 57.7 milionë lekë të tjera çka e çon detyrimin total që kjo shoqëri duhet t’i paguajë shtetit në mbi 86 milionë lekë ose 860 mijë dollarë.

“Trading Petroil & Drilling” është një shoqëri që tregton karburant, e regjistruar në Tiranë, por me aktivitet edhe në Fier dhe Vlorë. Sipas dokumentave zyrtar të QKR kjo kompani zotërohet 100 për qind nga Pajtim Bracaj, që është dhe përfaqësuesi i saj ligjor.

Ditët e fundit doganat kanë raportuar zbulimin e disa rasteve evazioni, veçanërisht në fushën e tregtimit të karburanteve. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton se po vazhdon kontrollet për mallrat e akcizës në të gjithë territorin e vendit duke u bërë thirrje subjeketeve që tregtojnë apo prodhojnë mallra akcize të zbatojnë me rigorozitet kërkesat e Ligjit.    

Top Channel