Test pozitiv përpara Botërorit të Brazilit është konsideruar për Italinë miqësorja e luksit kundër Gjermanisë. Një ndeshje e zhvilluar në “San Siro”, ku të besuarit e Prandelli-t kanë barazuar 1-1 me gjermanët.
“Të kaltrit” pësojnë menjëherë gol, në minutën e 8, teksa Hummels kërcën mbi të gjithë në zonën e rreptësisë dhe befason Buffon-in me kokë, nga një goditje këndi.
Golin e barazimit e shënon sërish një mbrojtës, Abate në minutën e 28, pas një kombinimi me Bonucci-n. Por, italianët shpëtojnë nga 3 shtylla, të goditura prej të besuarve të Low.
Itali-Gjermani nuk mund të konsiderohet kurrë një miqësore. Një sfidë e pafundme mes dy kolosëve të futbollit, me një sy nga e kaluara dhe tjetrin nga e ardhmja.
Në mendjet e Prandelli-t dhe Low ka qenë vetëm Brazili, ndaj dhe testi i luksit në “San Siro” ka shërbyer si rasti më i drejtë për të kuptuar ambiciet dhe potencialin e të dy skuadrave. Kur kanë mbetur vetëm 6 muaj nga fillimi i Botërorit, “axurrët” nuk mund të gjenin më mirë se sa një rival direkt dhe favorit për titullin kampion bote.
Por, fillimi nuk ka qenë i mirë, pasi veç golit të pësuar, Italia mund të kishte rrezikuar shumë nga gjuajtja e Khedira-s, që përfundoi në shtyllë. Pa sulmues të mirëfilltë në fushën e lojës, gjermanët e Low shfaqin një lojë të bazuar në fantazi, të fokusuar te kontrolli i topit dhe me inkursione të befasishme. Guardiola duket se ka ndikuar disi edhe në kombëtaren gjermane…
Italia duket shumë pak e rrezikshme, dyshja e sulmit Balotelli-Osvaldo nuk frikëson, lëvizje të njëjta dhe hapësira të mbyllura. Ndaj dhe i takonte Abate-s të barazpeshonte shifrat, ndërkohë që për ekipin e Prandelli-t i vetmi lajm pozitiv kishte të bënte me Pirlo-n, gjithnjë i aftë të gjente shokët e tij me precizion dhe me veprime të shpejta kur nevojitej. Marchisio, Thiago Motta dhe Montolivo luajnë disi të frenuar, u mungon kualiteti dhe nuk krijojnë rrezikshmëri. Gjermania kërcënon sërish Italinë, në të 31-tën, por Buffon duhet të falënderojë sërish shtyllën.
Në fund, pas shkëndijave të dhëna prej Thiago Motta-s dhe Toni Kross, Howedes hesht për pak stadiumin, teksa trondit shtyllën për herë të tretë.
Në ndeshjet e tjera miqësore, Anglia është mposhtur 2-0 nga Kili, falë dy golave të Alexis Sanchez dhe Rusia ka barazuar me Serbinë pa gola.
Top Channel