Kriza e skemës së pensioneve

16/11/2013 00:00

Skema e sigurimeve prej vitesh është shndërruar në një barrë të rëndë
për buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare, për vitin 2013 Qeveria
do devijojë mbi 690 milionë dollarë nga taksat për të mbajtur në këmbë
skemën e pensioneve, por edhe financimin e kujdësit shëndetësor.

Shifra është sa rreth 5.5 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar dhe e vetme ajo është shkaktare e mbi 80 për qind të deficitit total të buxhetit ose borxhit që merr Qeveria. Një tregues gati alarmant, i cili ka disa arsye.

Por më kryesorja ndoshta është ajo që lidhet me numrin të ulët të atyre që paguajnë sigurimet. Sipas Bankës Botërore në vitin 2010, vetëm 1 në 5 shqiptarë ishte kontribues në skemën e sigurimeve. Ky është një nga treguesit më negativ në gjithë europën dhe azinë qëndrore duke e bërë skemën të paqëndrueshme.  

Qeveria thotë se papunësia në Shqipëri është rreth 13 për qind. Por, pjesa më e madhe e atyre që figurojnë si të punësuar në shifrat zyrtare, nuk janë pagues të rregullt të kontributeve, siç është rasti i fermerëve. Veç kësaj, një tjetër arsye që tkurr bazën e kontribuesve është edhe informaliteti i lartë në tregun e punës.

Prej vitesh skema e sigurimeve vazhdon të thellojë borxhin. Përpjekjet e Qeverive për reformimin e saj kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit politik. Por, tani që financat publike janë në krizë, reforma e pensioneve është shndërruar në domosdoshmëri.

Pak javë më parë, ministri i Financave e la të hapur mundësinë e rritjes së moshës së pensionit, për të lehtësuar sadopak shpenzimet e skemës. Por ashtu siç tregojnë edhe shifrat më shumë se tek shpenzimet, problemi i skemës së sigurimeve qëndron në kahun tjetër, atë të të ardhurave.  

Top Channel