Fundi tragjik në futbollin amerikan

14/11/2013 00:00

Në fillim nuk mbante mend se ku kishte lënë syzet dhe i kërkonte nëpër shtëpi, për t’u kujtuar më pas se i kishte mbështetur mbi ball. Tani nuk i kujtohet më se vajza e tij luan futboll në ekipin e shkollës, edhe pse e ka shoqëruar shpesh në shumë ndeshje.

Tani, për herë të parë në jetë, lojtari më kurajoz i historisë së futbollit amerikan ka frikë. Brett Favre sapo ka mbushur 44 vjeç dhe mungesa e kujtesës bëhet gjithmonë e më e pranishme.

Kjo e ka detyruar atë të refuzojë një super-ofertë: të kthehet në lojë për të zëvendësuar një koleg të dëmtuar. Favre po humbet kujtesën dhe situata e tij lidhet me goditjet e marra në ndeshje.

Ai ishte qendërmbrojtësi, regjisori që vraponte dhe merrte aq shumë goditje, sa arriti edhe rekordin prej 525 “sack”, siç njihet ndryshe goditja trup me trup para pasimit të topit, në historinë e futbollit profesionist amerikan.

Favre ishte kampioni që kurohej për dëmtimet cerebrale dhe të tilla ka marrë aq shumë gjatë karrierës, saqë as ai vetë s’e mban mend.

I fotografuar shpesh herë me një qese akulli në kokë, tani ish-profesionisti i kërkon NFL-së, Federatës Kombëtare të Futbollit amerikan, që të rrisë masat mbrojtëse për lojtarët ofensivë, që bëhen objektiva përplasjesh nga lojtarët e tjerë më të mëdhenj me trup, më të rëndë dhe më të shpejtë, një kombinim unik për futbollin profesionist.

Disa mjekë amerikanë kanë bërë një hetim dhe kanë arritur në përfundimin e frikshëm se dëmtime të tilla që mund të merren gjatë lojës së dhunshme amerikane e bëjnë gjendjen e trurit të një 50-vjeçari në gjendjen e një 85-vjeçari.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta