Skema e ndihmës ekonomike do të përfshihet nga ndryshime të mëdha vitin e
ardhshëm. Do e përfitojnë gratë dhe jo burrat, do të jepet në katër
qytete të vendit në formën e paketave ushqimore, por do të ketë edhe
kritere të reja për të marrë pagesën mujore.

Që familjet e varfra të listohen si përfitues të ndihmës ekonomike duhet të paraqesin vërtetimin e shkollës që fëmija i tyre ndjek mësimet dhe është i regjistruar në institucion arsimor, sa i takon ciklit të detyruar. Dje, ministri i Mirëqenies Sociale ka deklaruar se do të jepet ndihmë ekonomike për ata prindër që dërgojnë fëmijët e tyre të ndjekin arsimin e detyruar. Për të reduktuar rastet e fëmijëve që punojnë në të zezë, ministri Veliaj u shpreh se do të ndërmerret një hap konkret. Ndihma ekonomike do t’ju jepet vetëm atyre familjeve që çojnë fëmijët në arsimit e detyruar 9-vjeçar.

“Ne sot kemi ende mentalitetin e ligjit të Solomonit në mënyrën sesi trajtojmë çështjet e ndarjes dhe divorcit dhe kujdestarinë mbi fëmijët. Për të kënaqur interesat e prindërve dhe egot e prindërve dhe jo detyrimisht për të kërkuar interesin maksimal të fëmijës. Vetëm familjet që i çojnë fëmijët në arsimin e detyruar do të mund të aplikojnë për ndihmë ekonomike. Ndihma ekonomike do të jetë e kushtëzuar me pjesëmarrjen aktive në shkollë me arsimin e detyruar”, tha ministri i Mirëqenies Sociale.

Një muaj më parë, Veliaj deklaroi se statistikat dhe të dhënat tregojnë se menaxhimin më të mirë të parave e bëjnë më mirë gratë se burrat. “Ne kemi vendosur që të transformojmë mënyren sesi përdoren financat publike për të fuqizuar zonjat dhe zonjushat në shoqërinë tonë. Një nga gjërat që do të bëjmë të orientojmë ndihmën ekonomike. Së pari, të jetë më e aksesueshme për zonjat e shtëpisë, evidenca empirike në të gjithë botën dëshmon që zonjat dhe gratë janë shumë më nikoqire me financat modeste që ka dhe familja më e këputur sesa burrat që shpeshherë janë të papërgjegjshëm”, tha Erion Veliaj. Po ashtu vitin e ardhshëm, paratë e ndihmës ekonomike do të shpërndahen në formën e paketës ushqimore për një pjesë të qytetarëve që janë pjesë e kësaj skeme. Tirana, Durrësi dhe Elbasani janë tri qytetet e para ku do të shtrihet për herë të parë projekti pilot i Ministrisë së Mirëqenies në bashkëpunim me Bankën Botërore.

Familjet që do të përfitojnë nga kjo mënyrë e re e trajtimit nga ana e shtetit janë kryesisht ato familje që gjenden në kushtet e varfërisë ekstreme. Në vendet ku është zbatuar një praktikë e tillë, zakonisht jepeshin kuponë apo tollona, me të cilat këto familje paraqiteshin pranë një supermarketi apo subjekti që tregtonte ushqime për të tërhequr paketën bazë me produktet e shportës.

Top Channel