Trajneri i kombëtares gjermane, Joachim Low refuzon statusin e favorites, për Botërorin e Brazilit 2014.
Në konferencën për shtyp përpara miqësores me Italinë, Low gjykoi se ka shumë skuadra që mund të luajnë në nivelin e “Mannschaft”-it, përfshi Brazilin vendas.
“Brazili është i gatshëm që të japë më të mirën si vend pritës dhe këtë do ta bëjë edhe Argjentina. Mendoj se vendet amerikanojugore dhe Spanja nisen me një avantazh, ndërsa janë disa skuadrat në gjendje që të luajnë po aq mirë sa Gjermania”, shtoi Low.
“Për të fituar titullin botëror duhet që shumë gjëra të funksionojnë në perfeksion dhe gjithashtu pak fat, edhe pse është e qartë që kampioni gjithmonë bën një punë të mrekullueshme”, tha trajneri i tre herë kampionëve të botës.
Low u shndërrua në trajner të Gjermanisë pas Botërorit të 2006-s, ku ishte ndihmësi i Klinsmannit dhe që prej atëherë, ka udhëhequr kombëtaren në tre gjysmëfinale, ato të Botërorit të 2010-s e Europianëve të 2008-s e 2012-s.
Top Channel