Komuna Lukovë, banorët disa muaj pa ujë

13/11/2013 00:00

Ndërhyrjet e paligjshme në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm për komunën Lukovë po bëhen gjithnjë e më tipike.

Në të gjithë tërritorin e saj fshatrat në pjesën e sipërme të tyre vuajnë mungesën e ujit të pijshëm për të paktën 7 muaj cdo vit. Fshati Shën Vasil i vendosur buzë rrugës nacionale një prej qendrave të banuara më të rëndësishme në këtë zonë popullohet sot nga rreth 1800 banorë.

370 familjet e tij jetojnë kryesisht me bujqësi dhe blektori. Banorët në pjesën e sipërme të fshatit thonë se vujanë mungesën e ujit të pijshëm prej vitesh. Ata e transportojnë ujin e pijshëm nga disa km larg ose e blejnë atë përgjatë gjithë verës.

Ujësjellësi i ndërtuar 5 vite më parë në këtë zonë finacim i Bankës Botërore me vlerë rreth 27 milionë lekë  nuk e zgjidhi dot situatën e furnizimit me ujë të pijshëm. Ekspertët thonë se shpimi me sondë në atë kohë duhet të kryhej në një lartësi më të madhe nga sa është zbatuar realisht në terren.  

Mungesa e presionit dhe shpimet e pafundme në tubin kryesor furnizues e kanë kthyer ujësjellësin në një investim pak eficent për banorët e kësaj zone. Kryetari i fshatit Minella Balla thotë se ankesat e banorëve i janë referuar komunës por ende nuk ka asnjë ndëryrje për të ndërprerë lidhjet e paligjshme në rrjet.

Furnizimi me ujë të pijshëm mbetet problem evident për të gjithë pjesën kodrinore të familjeve që popullojnë komunën Lukovë. Rritja e popullsisë dhe ndërtimet e reja nuk janë shoqëruar me kontrata furnizimi me ujë. Situata sipas banorëve po vjen duke u përkeqësuar me rritjen e numrit të subjekteve që furnizohen duke shkelur ligjin nëpër lugina.

Top Channel