Në kohën kur procesi ndaj Dritan Dajtit po sfidon drejtësinë si asnjë
gjyq tjetër më parë, Ministria e Drejtësisë po zhvillon diskutime për të
ndryshuar ligjin, ku të parashikohen edhe rastet kur asnjë avokat nuk
merr përsipër për të kryer mbrojtjen e një personi nën akuzë.

Gjate një interviste për Top Channel, ministri i Drejtësise Nasip Naço deklaroi se po shikohet mundësia që në lojë të hyje edhe Avokati i Popullit, ndersa theksoi se edhe pse gjykata e ve ne dijeni Ministrinë e Drejtësisë për shtyrjen e procesit Dajti, ky institucion nuk ka tager te nderhyjë.
 
“Ky është atribut i prokurorëve të çështjes, por edhe trupës gjykyese. Sigurisht që ne marrim impaktin nga kjo çështje dhe kemi menduar të bëjmë ndryshimet përkatëse në Kodin e Procedurës Penale, përsa i përket rastit të avokatëve, ku të parashikohen përveç Dhomës Kombëtare të Avokatisë, të jetë edhe gjyqtari i çështjes, apo kemi menduar të fusim edhe Avokatin e Popullit në këtë drejtim, pra për të parë një mënyrë dhe një procedim disiplinor ndaj të gjithë atyre avokatëve që për interesat e tyre personale dëmtojnë imazhin e të gjithë sistemit të drejtësë. Ministria e Drejtësisë nuk ndërhyn në çështje të veçantë, e respekton pavarësinë e gjyqësorit, por sigurisht me një çështje të veçantë ne marrim impakte për të bërë ndryshime përkatëse në ligj”, tha Naco.

Për Kryetarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda Sandër Simoni, procesi ndodhet ne situaten ku trupa gjyqesore i eshte rikthyer serish listes se avokateve ‘Kryesisht’, per te cilet ka raste ku adresat jane te pasakta.

“Dhoma e Avokatisë ka detyrimin dhe do të përcaktojë kriteret e përzgjedhjes së Avokatëve, pra edhe ne iu kemi kërkuar atyre që me këtë rast ato nuk kanë përmbushur ato kriteret në kushtet kur kjo listë ka të meta, megjithë përpjekjet e Gjykatës atëherë ato duhet të ndërhyjnë, të rishohin edhe njëherë gatishmërinë e atyre që janë përfshirë në atë listë për të bërë mbrojtje falas për këtë rast”, tha Simoni.

Deri më tani gjyqi ndaj te pandehurit Dajti ka shenuar rekordin e 246 seancave te deshtuara.

Top Channel