Londër, nuk hetohet deputeti sekser

12/11/2013 00:00

Parlamenti britanik ka vendosur që deputeti konservator, Mark Pritchard, të mos hetohet më tej, pas pretendimeve të ngritura nga media, se ai kishte deklaruar që mund të përdorte kontaktet e tij politike në Shqipëri për investime.

Sipas Kathryn Hudson, kryetare e Komisionit Parlamentar për Standardet, nuk ka prova të mjaftueshme për të nisur një hetim parlmentar dhe nuk sugjerohet se ai do të mbështeste dhe lobonte për këto marrëveshje në parlamentin britanik.

Sipas gazetës, deputeti Pritchard, që është anëtar i grupit parlamentar për Shqipërinë, dikur kryetar i tij, i kishte thënë një gazetari që pretendonte se ishte biznesmen, gjatë një vizite në Maltë, se ai ishte në gjendje të mundësonte investime duke përdorur kontaktet e tij politike në Shqipëri.

Gazeta shkruan se ai ka kërkuar 3 mijë stërlina në muaj për konsulencë dhe 3 përqind të shumës për çdo marrëveshje, çka duket qartë në filmimet sekrete me zë dhe figurë. “The Daily Telegragh” shkruan se deputeti i sugjeroi gazetarit investigativ se ai duhej të investonte 10 milionë stërlina për një grup hotelesh në Shqipëri, çka nënkupton se ai do të merrte më shumë se 300 mijë stërlina për investimin në Shqipëri.

Madje, sipas gazetës, për të dëshmuar kredencialet e tij, deputeti i ka dërguar mesazh në telefon kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë një takimi për të zbuluar se për çfarë lloj investimesh ishin të interesuar autoritetet, shkruan “The Daily Telegraph” e Londrës.

Por, gazeta nuk shkruante, nëse kishte pasur kontakt apo shkëmbim mesazhesh mes tij dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Basha.

Deputeti, po ashtu, i kishte thënë gazetarit që hiqej si biznesmen, se ai nuk kishte lobuar, dhe nuk kishte pasur shkëmbime parash. Deputeti Pritchard i kishte mohuar fuqishëm njoftimet e gazetës “The Daily Telegraph”, duke thënë se ato ishin marrë jashtë kontekstit dhe kishte kërkuar vetë që çështja e tij t’i referohej këtij komisioni, për të pastruar emrin e tij.

Ai është një figurë e mirënjohur në Partinë Konservatore britanike dhe kritik i kryeministrit Cameron.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA