Kandidatët për drejtues në arsim

12/11/2013 00:00

Kandidatët për drejtues në Drejtoritë Arsimore të të gjitha qarqeve zhvilluan të martën testin e dytë në konkursin e hapur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në ambientet e këtij institucioni.

Pjesa e dytë e konkursit të kandidatëve për drejtues në arsim ishte testi me gojë. Pas ditës së hënë ku kandidatët u testuan me shkrim në një provim për aftësitë dhe njohuritë e tyre teorike, në testin e datës 12, arsimtarët u pyetën për aftësitë e tyre praktike dhe eksperiencat personale.

Ministrja Lindita Nikolla një ditë më parë në ambientet e Fakultetit Ekonomik ku kandidatët zhvilluan testin me shkrim, bëri me dije se testi që kryejnë kandidatët është hartuar nga një ekip specialistësh të ministrisë.

Pas fazës se testimit Ministria do publikojë edhe fituesit e testit, megjithatë ky nuk do të jetë hapi i fundit i këtij procesi. Pas shpalljes së pikëve dhe rezultateve të marra nga kandidatët në dy testet e zhvilluara, vjen faza e fundit, ajo e përzgjedhjes së drejtorëve të rinj të Drejtorive Arsimore Rajonale.

Përzgjedhja e tyre, ashtu sic ka bërë me dije ministrja Nikolla, nuk do të jetë vetëm kompetencë e saj. Sipas Ministres, përzgjedhja do të bëhet në një debat të hapur qytetar ku do të marrin pjesë specialiste të arsimit, kandidatë për Drejtorinë e Qarkut dhe qytetarë.

Vetë kandidatët, duhet të paraqesin një platformë tek qytetarët për vizionin që kanë për zhvillimin dhe përmirësimin e arsimit në qarkun ku kandidojnë. Në garë deri tani janë përzgjedhur 202 kandidatë të cilët, aplikuan pas shkarkimit të të gjithë drejtorëve të Drejtorive Rajonale Arsimore në të 13 qarqet e vendit nga Ministrja Lindita Nikolla.

Top Channel