Urdhëri për bllokimin e lejes minerare në zonën D u propozua nga Reparti
i Inspektim Shpëtim Minierave dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve
Natyrore.

Top Channel zbardh të plotë raportin, pas të cilit Ministria e Energjetikës vendosi pak ditë më parë të pezullojë lejen minerare në zonën më problematike të Bulqizës, të ashtuquajturën zona D. Raporti konstaton probleme me kushtet e sigurisë në punë, por edhe shkelje të rënda të ligjit nga privatët, deri në moszbatimin e urdhërave të institucioneve.

Nga verifikimet në terren ekspertët e AKBN dhe Repartit të Shpëtim Minierave kanë konstatuar se përveç mangësive të theksuara në dokumentet teknike, përfshirë dhe pasqyrat e investimeve, në këtë zonë është kryer aktivitet minierar edhe në ato vende ku kjo ka qenë e ndaluar me ligj.

Sipas raportit, bëhet fjalë për galerinë me numër 34, për të cilën Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave kishte urdhëruar pezullimin e punimeve, por kjo nuk është repsktuar nga subjekti privat. Zona D, e cila i përket pjesën jugore të minierës së Bulqizës aktualisht shfrytëzohet nga kompania “Tour Alb”. Por kjo e fundit vepron si nënkontraktor i ACR, pjesë e ‘Balfin Group”, që është dhe shoqëria e cila zotëron lejen minierare.

Burime nga Ministria i thanë Top Channel se në zbatim të ligjit, është subjekti zotërues i lejes minerare, ai që mban përgjegjësi për zonën e tij. Për këtë arsye grupi i kontrollit, ka propozuar pezullimin e lejes së shfrytëzimit për një afat të pacaktuar deri në plotësimin e realizimin e të gjitha vërejtjeve dhe shkeljeve të konstatuara.

Raporti mbi zonën D konfirmon edhe një herë situatën kaotike dhe moszbatimin e ligjit në zonën më të madhe krommbajtëse të vendit, që përbën dhe një nga pasuritë më të mëdha natyrore. Parlaleisht mësohet se pas aksioneve të fundit të policisë për bllokimin e ngarkesave të paligjshme me krom, Prokuroria e Lezhës ka nisur hetimet ndaj një sërë subjektesh për fshehje të të ardhurave dhe evazion në aktivitetin e kromit.  

Top Channel