Zagoria nderon britanikun Bill Tilman

10/11/2013 00:00

Në fshatin Nivan të Komunës së Zagorisë u organizua një ceremoni e veçantë. Sheshit kryesor të fshatit iu vu emri i alpinistit britanik me famë botërore Bill Tilman, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qëndruar dhe jetuar në këtë zonë.

Bill Tilman, një oficer i forcave speciale angleze SOE u parashutua në malet shqiptare si pjesë e Misionit Ushtarak Britanik, i cili kishte si qëllim ndihmën për formacionet partizane. Për eksperiencën e tij shqiptare ai ka botuar disa artikuj dhe një libër ku flet jo vetëm për mikpritësit e tij shqiptarë, por edhe për formacionet partizane.

Për një periudhë 1-vjeçare Tilman jetoi në Zagori duke kryer rolin e oficerit kryesor që siguronte ndihma për partizanët shqiptarë.

Me iniciativën e Auron Tares dhe Komunës së Zagorisë, emri i Bill Tilman u përkujtua në malet e Zagorisë si një figurë historike me kontribut të madh në këtë zonë.

Bill Tilman konsiderohet si një nga alpinistët dhe eksploratorët më të mëdhenj të shekullit XX, me një kontribut të jashtëzakonshëm në ngjitjet e majave të famshme të Himalajave apo pika të tjera të njohura.

Autor i një serie librash me subjekt eksplorimet nëpër Botë, ai ka marrë një sërë titujsh dhe medaljesh për të nderuar veprën e tij.

Top Channel