Barnat me rimbursim, buxhet më i lartë në 2014

09/11/2013 00:00

Lista e barnave me rimbursim do të jetë më e “pasur” vitin e ardhshëm.
Pavarësisht borxheve të mbartura në sistemin shëndetësor, fondi rreth 44
milionë lekë të reja, sistemi shëndetësor do t’i akordojë më shumë para
se këtë vit Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për listën
e barnave me rimbursim.

Për vitin e ardhshëm, më shumë kategori pacientësh do të përfitojnë nga rimbursimi, ndërkohë që ilaçet e kësaj liste do të jenë më të lira, do të blihen me çmime më të lira nga se është vepruar deri tani.

Ministri i Shëndetësisë, pak kohë më parë, ka deklaruar se nuk do të përfshihen më në listën e Shqipërisë barnat që deri tani janë blerë me trefish më shumë se çmimi i vendit të origjinës.

“Ne presim rritje të buxhetit, por puna jonë do të drejtohet edhe në drejtim të kursimit dhe mirëmenaxhimit të fondeve ekzistuese. Jemi ballafaquar me një situatë të rënduar në sektor. Do të kemi një shtim të listës. Do të kërkojmë alternativa të tjera gjenerike që të kemi synimin e një çmimi dhe një rritjeje të gamës të përfituesve nga këto ilaçe. Do të kemi prioritet edhe ngushtimin e diferencës së alternativës së parë me alternativën së dytë gjenerike. Ngushtim ky që do të pasqyrohet direkt te pacientët”, tha Astrit Beci, drejtori i ISKSH-së. Sipas tij, pritet të ketë edhe ndryshim të mënyrës se si financohen spitalet.

“Po ripunojmë aktet ligjore dhe po ripunojmë me ligjin, pasi dhe sistemi do të ndryshojë, nga kontributiv në sistem universal, kështu që ndryshimet në ligj do të jenë të parat që do të vijnë. Do të bëhen ndryshime në financimet e spitalit dhe kontrollit të këtij sistemi në institucionin tonë”, tha Beci.

Lista e barnave me rimbursim këto tre vitet e fundit ka pasur probleme sa i takon fondit dhe nga viti në vit nuk ka pasur risi, barna të shtrenjtë apo zgjerim të gamës së ilaçeve, për shkak të mungesës së fondit.

Në një intervistë për gazetën “Shqip”, ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se sistemi shëndetësor do të financohet nga taksimi i përgjithshëm, ndërkohë që pritet të nisë akreditimi i institucioneve shëndetësore publike dhe private për t’i dhënë më pas secilit institucion shëndetësor aq para sa performancë ka dhe për të bërë një shpërndarje të drejtë për ato spitale që punojnë më shumë dhe me më shumë cilësi.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, deklaroi se sektori spitalor ka një borxh të madh të trashëguar, që shkon deri në 44 milionë dollarë, ku një pjesë të madhe të këtij borxhi e ka qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”, nga barnat dhe pajisjet që janë blerë, por bizneset ende nuk janë paguar.

Top Channel