Basha denoncon “Korçën”

08/11/2013 00:00

Partia Demokratike po informon trupin diplomatik mbi situatën e krijuar pas zgjedhjeve të pjesshme në Korçë, që për kreun e opozitës Lulzim Basha, bashkë me aktet e tjera antikushtetuese të qeverisë kanë vënë në rrezik funksionimin e demokracisë në Shqipëri.

“E njoha ambasadorin me këtë shqetësim, për veprimet antiligjore të mazhorancës në strukturat e shtetit dhe me kursin ligjor e institucional që opozita po vazhdon, për të mos e dorëzuar kauzën e saj”, deklaroi kryetari i PD, Basha.

“I dëgjova me shumë vëmendje shqetësimet e kryetarit. Nuk është nevoja ta them, por ne besojmë fort se themeli për çdo demokraci është respekti për sundimin e ligjit dhe në këtë kuptim i dëgjova me shumë kujdes shqetësimet e detajuara. Pa dyshim, këto do të raportohen në Uashington dhe do të diskutohen me vëmendje me kolegët e mi të trupit diplomatik, me qeverinë këtu dhe me Uashingtonin”, deklaroi ambasadori amerikan Alexander Arvizu.

Një nga hapat politikë që opozita do të bëjë do të jetë protetsta e së hënës, që është organizuar në kohën kur komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule do të jetë në takim me kryeministrin Edi Rama.

Ndërsa hapi ligjor do të jetë ankimi në Kolegj për përsëritjen e zgjedhjeve në Korçë. Për shkak të mungesës së kuorumit, KQZ nuk mori vendim për ankesën e Partisë Demorkatike, e cila gjeti rastin të akuzonte mazhorancën për sjelljen e saj me insitucionet.

“Provat janë të pakundërshtueshme. Është detyra kushtetuese e KQZ që të bënte transparencë, por për shkak të sabotimit të mazhorancës ky institucion nuk qe në gjendje të merrte një vendim. Ne do t’i drejtohemi Kolegjit që për zgjedhjet e Korçës të bëhet drejtësi”, deklaroi deputeti Oerd Bylykbashi.

Top Channel