Kërkohet rritja e çmimit të biletës

06/11/2013 00:00

Pavarësisht ankesave të qytetarëve sa i përket cilësisë së transportit
urban, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon rritjen e çmimit
të biletës urbane.

“Aktualisht ne kemi një çmim bilete shumë të ulët, në krahasim me normën e investimit që është kryer nga të gjithë operatorët. Ka mëse dy vjet që kërkohet rritje e çmimit në shkresat drejtuar pushteteve vendore dhe qendrore, por që sot për sot nuk ka marrë zgjidhje. Kërkohet që investimet të përmirësohen kushtet, të rritet shërbimi ndaj qytetarëve, por ndërkohë çmimi ka mbetur po ai i para pesë viteve pavarësisht se kushtet kanë ndryshuar”, tha Ervin Shijaku, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas.

Zëvendësministri i Transporteve dhe Infrastrukturës Ylli Manjani thotë se për sa kohë bëhet fjalë për një shërbim publik, nevojitet një konsultim më i gjerë për të gjetur një zgjidhje.

“Nuk është vetëm çështje e çmimit është edhe çështje standardi, është edhe çështje reagimi publik dhe çështje trajtimi i shtresave të caktuara dhe në fund fare duhet të kemi parasysh një gjë, që ky është një aktivitet publik, për të cilin ju na ndihmoni për ta kryer këtë shërbim”, tha Manjani.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga shoqata është subvencionimi shtetëror për kategoritë që përfitojnë transport publik falas.

“Eshtë e vërtetë që edhe operatorët nuk kanë përse të pranojnë thjesht me një karton që del që është person përfitues me aftësi të kufizuar, por nga ana tjetër të mos rimbursohet. Kjo do të jetë pjesë e diskutimeve të ardhshme”, tha zëvendësministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri.

Të gjitha këto shqetësime u ngritën në një tryezë diskutimi, ku nuk kishte përfaqësues të shoqatave qe mbrojne te drejtat e konsumatoreve.
    

Top Channel