Tatimet: Tejkaluam planin. Reagon PD

05/11/2013 00:00

Pas Doganave edhe Tatimet kanë lajmëruar rezultatet pozitive në mbledhjen e të ardhurave.

Drejtoresha e Përgjithshme, Brisida Shehaj deklaroi se administrata tatimore tejkaloi me 6 për qind planin e pandryshuar të ardhurave dhe paralalisht ka arritur të zbulojë edhe një tjetër mashtrim pas atij me skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

“Për muajin tetor, administrata tatimore ka realizuar planin e mbledhjes së të ardhurave dhe të kontributeve të sigurimit shoqëror në masën 106 për qind, krahasuar me planin e Qeverisë së mëparshme. Ne arritëm të mblidhnim 12 milionë dollarë më shumë se muaji shtator i po këtij viti.

Të grumbulluara gjithsej si të ardhura tatimore janë 756 milionë lekë më shumë krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Kjo rritje prej 9 për qind e krahasuar me vitin e kaluar tregon punën e re të administrimit që kemi vendosur, duke u mbështetur tek goditja e fortë e sjelljeve korruptive edhe skemave mashtruese, sikundër jeni njoftuar edhe më parë gjatë këtij muaji.

Përveç zbulimit të skemës mashtruese të rimbursimit të TVSH-së me vlerën 515 milionë lekë, kemi arritur të zbulojmë edhe një vlerë tjetër evazioni në masën e 295 milionë lekëve dhe kjo vetëm për dy javë”, u shpreh Shehaj.

PD: Tatimet gënjyen
Mima: Mblodhën 15 milionë dollarë më pak se plani

Pas publikimit të rezultateve pozitive në mbledhjen e të ardhurave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve reagoi menjëherë Partia Demokratike. Deputeti Florion Mima tha se Tatimet gënjyen dhe në të vërtetë mblodhën 15 milionë dollarë më pak se plani i parashikuar.

“Sot, ajo që ne paralajmëruam është e konfirmuar katërcipërisht dhe publiku duhet te mësojë se, megjithë këtë tejkalim të “bujshëm” të planit të sajuar të të ardhurave, përsëri janë rreth 15 milionë dollarë që mbeten pa u mbledhur nga plani fillestar i të hyrave publike”, deklaroi Mima.

Sipas tij, çdo shqiptar me të drejtë mund të pyesë: Ku shkuan këto 15 milionë dollarë të pambledhura vetëm në një muaj?.

“Emisionet investigative kanë zbuluar mbrëmë një copëz të destinacionit përfundimtar të këtyre parave, që duhet të shkonin në arkën e përbashkët e që padrejtësisht janë drejtuar për tjetërkund. Prokuroria e shtetit sot ka vendosur sekuestro mbi regjistrat e Rilindjes. Aty është vetëm një pjesë e përgjigjes”, vijoi Mima. 

Top Channel