Ristrukturimi i kredive të individit

05/11/2013 00:00

Cdokush që ka marrë një kredi dhe nuk mund të shlyejë këstet e saj pasi gjendet në vështirësi financiare të përkohshme, do të përfitojë tashmë disa lehtësi nga bankat kredidhënëse.

Një udhëzues i dalë pak ditë më parë nga Banka e Shqipërisë ka vendosur ristrukturimin e kredive për individë dhe biznese, çka mundëson mosshlyrjen e kredisë deri në 3 muaj në rastet kur kredimarrësi nuk ka mundësi ekonomike.

Por, kjo lehtësi përfitohet vetëm në rastet kur klienti vë në dijeni bankën për çdo problem ekonomik që e çon atë në mosshlyerjen e këstit. Përveç moratoriumit 90-ditor, ristrukturimi krijon mundësinë që gjatë kësaj periudhe kredimarrësi të ndryshojë edhe detaje të tjera të kontratës me bankën, si për shembull zgjatjen e viteve të kredisë dhe zvogëlimin e këstit mujor.

Në udhëzimin e Bankës së Shqipërisë jepen një sërë aspektesh pozitive rreth ristrukturimit. Sipas saj, është rritur bindja që një ristrukturim i rregullt dhe në kohë i kushteve të kontratës në bashkëpunim me huamarrësin ka rezultuar më efektiv se nisja e procesit gjyqësor, pasi është njëkohësisht një proces më i shpejtë dhe ofron përfitime më të mëdha për huadhënësin, huamarrësin, por edhe për ekonominë e vendit.

Gjithashtu, ristrukturimi i kredisë i jep mundësi huamarrësit të kapërcejë me sukses vështirësitë financiare dhe të vazhdojë të përmbushë detyrimet e tij; shmang efektet negative sociale dhe makroekonomike, të cilat mund të shkaktohen nga ekzekutimi i një numri të madh pasurish të patundshme; redukton mbingarkesën e procedurave në gjykata duke reduktuar numrin e rasteve dhe zgjatjen e proceseve gjyqësore si dhe është më efektiv se procesi gjyqësor pasi mosmarrëveshja zgjidhet më shpejt dhe lejon rikuperimin e një përqindjeje më të lartë të borxhit.

Top Channel