Presidenti i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, Hysen
Çela, deklaroi se ka ardhur koha që audituesit privatë të përfshihen në
certifikimin financiar të bizneseve për llogari të tatimeve.

“Audituesit mund të përfshihen edhe në kryerjen e shërbimit të auditimit për shërbimet tatimore për kompanitë më të mëdha në vend dhe që kërkon jo vetëm zbatim të standardeve cilësore, por edhe rritjen dhe rivlerësimin e përgjegjësisë së tyre. Ne mendojmë se kjo mund të nisë me disa entitete në trajtën e shërbimeve pilot me fokus primar formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë”, tha Hysen Cela.

Në konferencën e 12 vjetore të ekspertëve kontabël të Mesdheut, ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se Qeveria është duke punuar me Bankën Botërore për të fuqizuar auditimin edhe në sektorin privat, si një nga masat kryesore në luftën kundër informalitetit.

“Ne e shohim këtë profesion jo vetëm si garanci të certifikimit më gjerë të raportimit financiar, por si një garanci të interesit publik dhe si një element, i cili ndikon në mënyrë të konsiderueshme në përmirësimin e cilësisë të pasqyrave financiare. Janë ato pasqyra që ne shqiptarët e dimë mirë që kanë mangësi thelbësore, apo bëhen dy ose  tre pasqyra njëherësh për raportime të ndryshme”, tha Cani.

Pak javë më parë Qeveria kontaktoi “Deloitte’ për të audituar borxhet e fshehura të shtetit. Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj theksoi se shumë shpejt do të ketë masa për të rritur transparencën e të dhënave financiare edhe në sektorin privat.

“Qeveria do të nxjerrë një rregull, i cili do të detyrojë bankat dhe deri kompanitë e tatimet që të jenë në linjë me njëra-tjetrën për ato bilance të cilat ngarkohen me kredi. Nuk mund të vijë një kompani, të ketë një bilanc ‘x’ në tatime dhe e njëjta kompani të shkojë me një bilanc ‘y’ në bankë, gjë që për profesionin tuaj, për shtetin, për interesin publik, për të vërtetën është e papranueshme”, tha Ahmetaj.

Në konferencën, e organizuar në Tiranë nga Instituti i Akspertëve Kontabël të Autorizuar, veç drejtuesve nga organizatat më të mëdha botërore të auditimit, mori pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Europian. Ettore Sequi deklaroi se për BE-në transparenca dhe besueshmëria e të dhënave financiare kanë një rëndësi kritike ndaj duke inkurajuar Qeverinë që të fuqizojë pozitat e auditimit.  

Top Channel