QSUT, pemë në vend të lokaleve

03/11/2013 00:00

“Një muaj më parë, pikërisht në këtë vend, në zemër të QSUT-së, ishin të ndërtuara dy lokale, por duke filluar që nga dita e sotme, këtu ka nisur projekti i pyllëzimit të të gjithë zonës së QSUT-së”.

Nisja e këtij projekti nga Ministria e Mjedisit, përmes të cilit parashikohet mbjellja e mijëra pemëve, është vizituar nga kryeministri Edi Rama.

Në mënyrë simbolike, kryeministri mbolli një pemë, duke iu rikthyer dëshirës së tij të vjetër, kur ishte kryebashkiak i Tiranës.

“Kishim një pazar me rroba, me qofte edhe me spital, tani kemi një spital pa pazar dhe me një hapësirë publike që po ripërtërihet, po mbillet me pemë, po mirëmbahet dhe mbjelljet do të vazhdojnë. Gjithkush që duhet të kalojë këtu, të ndjehet në territorin e një spitali në Europë dhe jo siç ishte përpara rreth 40 ditëve. Përgëzoj drejtoren e re, stafin e saj, për punën e shkëlqyer që po bëjnë në vetëm pak ditë. I kanë dhënë ajër mjediseve të spitalit”, u shpreh Edi Rama.

Ndërsa Lefter Koka, ministër i Mjedisit, paralajmëroi shtrirjen e këtij projekti në të gjithë vendin.

“Sigurisht, ky është vetëm fillimi në këtë qendër spitalore. Shumë shpejt, qendra të tilla do të ketë në mbarë vendin, jo vetëm në qendrat spitalore, por edhe në akset rrugore të Shqipërisë dhe në pyjet e mbarë Shqipërisë”, tha Lefter Koka.

Drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastriliu, tha se janë rreth 6 mijë pacientë dhe vizitorë, përfshi personelin, që vizitojnë përditë këtë qendër dhe është e rëndësishme që t’u sigurojmë atyre mjedise të shëndetshme, përmes përmirësimit të infrastrukturës mjedisore.

Top Channel