PD: “Crown Agents” asnjë taksë

03/11/2013 00:00

Partia Demokratike këmbëngul se kontrata e qeverisë me “Crown Agents”, për asistencën e  doganave shqiptare, nuk është dorëzuar e plotë në Kuvendin e Shqipërisë, duke fshehur shtojca me efekte të tjera financiare të kontratës.

Sipas opozitës, edhe kaq e cunguar sa është paraqitur, kontrata përmban lehtësira të paprecedenta financiare, që nuk janë aplikuar asnjëherë, as për kompani që kanë investuar miliarda dollarë në Shqipëri.

Ish-ministri i Financave, Alfred Rushaj, thotë se një favorizim i tillë fiskal për “Crown Agents” e vë Shqipërinë në pozitë të vështirë përballë investitorëve.

“Në këtë kontratë, qeveria i ka dhënë të drejtën kësaj kompanie, që të mos paguajë tatim-fitimin, TVSH-në, taksat vendore dhe tatimin mbi dividentin. Vazhdojmë më tutje. I ka dhënë të drejtën me kontratë, që të mos paguajë asnjë taksë, përfshirë edhe akcizën, edhe taksat e tarifat e tjera, që mund të jenë të ngjashme. Por, nuk ndalohet këtu. Kompania është treguar e kujdesshme, por edhe qeveria ka pranuar që punonjësit e ‘Crown Agents’ të mos paguajnë tatim mbi të ardhurat personale, të mos paguajnë asgjë për ato që sjellin në Republikën e Shqipërisë”.

Partia Demokratike thotë se, sipas pjesës së dukshme të kontratës, “Crown Agents” do të fitojë 4,5 milionë euro në vit dhe, veç të tjerash, shteti shqiptar do të shpenzojë edhe 400 mijë euro për blerjen e makinave për punonjësit e kompanisë britanike, duke e bërë këtë një kontratë të shtrenjtë dhe të panevojshme për shtetin shqiptar.

“Do t’i paguhen kësaj kompanie më shumë se 13 milionë euro për 3 vite. Po për të bërë çfarë? Për të bërë atë, që administrata doganore thotë këto ditë, që e bëjnë më së miri. Por, kjo nuk mbaron këtu. Faktin që kjo kontratë është e shtrenjtë, nuk e themi ne. Këtë fakt e thotë Bashkimi Europian. Bashkimi Europian u ka komunikuar zyrtarëve të qeverisë, që kjo kontratë është e shtrenjtë. Por, nuk mbaron me kaq. Bashkimi Europian gjithmonë u ka komunikuar zyrtarëve të Republikës së Shqipërisë, që janë marrë me këtë çështje, se konsulenti nuk ka as eksperiencën e duhur, përsa i përket tatimeve dhe doganave”.

Top Channel