Shuhet “profeti” i spiunazhit

02/11/2013 00:00

Rreth 120 milionë kopje të shitura, për një total prej pothuajse 200
romanesh të shkruar që prej vitit 1965. Të gjitha histori spiunazhi me
një personazh të vetëm: princin austriak Malko Linge, që shërbente si
agjent i CIA-s në kohën e luftës së ftohtë.

Por tani personazhi i famshëm ka mbetur “jetim”, pasi autori që e solli në jetë, shkrimtari francez Gerard De Villers ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare për shkak të një kanceri në stomak.

Por ajo që De Villers kishte të veçantë ishte aftësia për të “paralajmëruar” me skenaret e tij ngjarje që më pas kanë ndodhur me të vërtetë.

Për shembull, në vitin 1980, ai shkroi “Komplot në Kajro”, libër që bënte fjalë për një komplot për vrasjen e presidentit egjiptian Anwar El Sadat në mënyrë mizore, gjë më ndodhi jo shumë kohë më vonë.

Ndërsa në librin tjetër “Zjarr në Bengazi’ ai fliste për praninë e një stacioni të CIA-s në qytetin libian, ai ku më pas terroristët islamikë i vunë zjarrin konsullatës amerikane dhe vranë ambasadorin Chris Stevens.

“Nuk kam aftësi hyjnore, thjesht bëj hipoteza dhe mbahem i informuar”, thoshte De Villers, i cili që në vitin 1994 parrashikonte një rol gjithnjë e më të madh të NSA-së, e përfshirë së fundmi në skandalin “Datagate”.

“Në Shtetet e Bashkuara është tendenca për të mbështetur spiunazhin elektronik. Mund të dëgjohet gjithçka, edhe bisedat nëpër citofonë”, thoshte shkrimtari.

Top Channel