Ndryshimi i koncesioneve

02/11/2013 00:00

Pas thirrjeve të deputetit socialist Erjon Braçe, edhe shoqatat e
biznesit kërkojnë ndryshimin urgjent të marrëveshjeve koncesionare.

Luan Bregasi i “Business Albania” thotë se veç pasurive natyrore kjo duket të prekë edhe kontratat monopol të të drejtave ekskluzive.

“Qeverisë së re i lind detyra në mënyrë urgjente t’i rishikojë të gjithë koncesionet, sidomos ato të naftës, koncesionet e shërbimeve që lidhen me pullat fiskale, aty janë burimet që mund të rrisin të ardhurat në buxhetin e shtetit”, tha Bregasi.

Zoti Bregasi, thotë se kontratat koncesionare kanë prodhuar rezultate ekonomike të papranueshme, ndaj s’mund të lihen në këtë gjendje.

“Vetëm në Shqipëri kanë ndodhur absurditete të tilla, një kompani që ka marrë një pasuri kaq të madh sic është nafta, të mos paguajë asnjë lek tatim-fitimi. Përse e ka dhënë shteti këtë koncesion?” tha Bregasi.

Sipas tij, ky rezultat ka ardhur për shkak se dhenia e koncesioneve tek privatët nuk ka patur qëllim mbrojtjen e interesit publik, por një tjetër.

“Këto të ardhura të shkojnë në kanalet private dhe nëpërmjet tyre edhe në xhepat e politikanëve, qeveritarëve. Kjo është një goditje shumë e madhe që i është bërë edhe sipërmarrjes private”, tha Bregasi.

Katër vitet e fundit, veç pasurive natyrore, Qeveria transferoi në seri tek privatët edhe një sërë shërbimesh publike apo të drejtash sovrane. Të gjitha në kushte monopol dhe me tarifa të cilat janë kundërshtuar fort nga biznesi.      

Top Channel