Mashtrimi me faturat e TVSH-së

02/11/2013 00:00

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisilda Shehaj deklaroi se skema
e mashtrimit me faturat e TVSH-së mund të jetë më e madhe nga sa
dyshohej fillimisht.

“Ne dyshojmë se skema është akoma dhe më e gjerë. Administrata tatimore javës tjetër kur të raportojë për shifrat dhe për arritje do të raportojë edhe për evazionin e gjetur, sepse nuk është vetëm Tirana dhe nuk është vetëm skema e TVSH-së, por janë disa skema të tjera që ne për dy javë kemi arritur të konstatojmë”, tha Shehaj.

Zonja Shehaj i bëri këto deklarata gjatë një aktiviteti me studentë të Fakultetit Ekonomik për sensibilizimin e qytetarëve të tërheqin kuponat tatimor. Ajo e ka shfrytëzuar këtë për t’i bërë një thirrje edhe biznesit.

“Dua që nga kjo fushatë të sensibilizohet shumë edhe biznesi, pasi në muajin nëntor do të zbresim në terren për regjistrimin e biznesit”, tha Shehaj.

Drejtoresha e Tatimeve ka folur edhe për performancën e administratës tatimore, ku edhe pse nuk ka bërë publike shifrat në hollësi deklaroi se muaji tetor ka patur një ecuri shumë të mirë në mbledhjen e të ardhurave.

Top Channel