Evazioni i koncesionarëve

01/11/2013 00:00

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë Erjon Braçe, i bën
thirrje Qeverisë që të ndryshojë urgjentisht marrëveshjet koncesionare
të naftës, duke rritur taksat mbi kompanitë private.

“Për naftën, tatim-fitimi nuk mund të vijojë më i ulët se sa mesatarja e të gjithë industrisë së naftës, kudo që ajo aplikohet. Nëse mesatarja fillon me 55-60 për qind të tatim fitimit, nuk mundet që në Shqipëri të vazhdojë të jetë 50 për qind, madje me favorin e tmerrshëm të njohjes së një serie shpenzimesh, të cilat në fund fare e bëjnë zero, e zerojnë fitimin dhe për pasojë edhe tatim fitimin e sjellin në të tilla parametra”, tha Braçe.

Por nafta nuk është sektori i vetëm problematik. Për koncesionet e kromit, taksa mbi privatët është edhe më e ulët, vetëm dhjetë për qind, edhe pse ata shfrytëzojnë pasuri publike.

“Nuk mundet që kompanitë e kromit të paguajnë tatim-fitimin vetëm 10 për qind. Në fakt nuk kanë paguar as ato tatim fitim deri më sot, sepse edhe ato kanë treguar shpenzime në letra, jo vetëm të fryra, por shpeshherë të pakryera fare. Mjafton të shkoni në Bulqizë dhe të shihni se si ato investime që pretendohen nga kompanitë në fjalë nuk janë kryer. Ne kemi folur për progresivitet të tatim-fitimit. Ky është rasti ku ky progresivitet duhet të vendoset sa më parë”, tha Braçe.

Por edhe me këto norma të ulëta taksash, si në naftë ashtu dhe krom, kompanitë sërish nuk kanë paguar tatim mbi fitimin, pasi deklarohen me humbje. Sipas ‘Albpetrol’, vetëm 4 kompani që shfrytëzojnë vendburimet e naftës në Shqipëri kanë deklaruar në tetë vite mbi 1.5 miliardë dollarë shpenzime, për të cilat nuk kanë paraqitur as faturat. Erjon Braçe thotë se kjo është një arsye tjetër, që e bën të domosdoshëm ndryshimin e koncesioneve.

“Administrata fiskale, duke përfshirë natyrisht nivelin më të lartë të saj dhe natyrisht edhe Ministrinë që mbulon fushën përgjegjëse, duhet të investohen për t’i vënë fre, për të ndaluar dhe për të mos njohur më shpenzime të këtij karakteri, shpenzime që kanë në mes kompanitë ofshore dhe në anën tjetër duhet të justifikojë çdo shpenzim me fatura të rregullta, ligjore dhe që natyrisht referojnë edhe në çmime që janë çmimet aktuale sot në treg, jo çmime të fryra thjesht dhe vetëm për të mos paguar tatim-fitim”, tha Braçe.
 
Të dhënat zyrtare tregojnë se që nga 2005, kompanitë koncesionare kanë eksportuar nga Shqipëria mbi 1.6 miliardë dollarë naftë dhe krom, duke paguar në shtet shifra minimale.

Top Channel