Shkurtohen shpenzimet për zyrtarët

29/10/2013 00:00

Një ligj i Qeverisë që shkurton shpenzimet e transportit për deputetët
dhe disa zyrtarë të tjerë të niveleve të ndryshme ka shkaktuar debate në
Komisionin Parlamentar të Ekonomisë mes maxhorancës dhe opozitës.

Përmes ligjit, buxhetit i kursehen 165 milionë lekë në vit, ndërsa për dy muajt e mbetur të vitit, ai do të kursejë 20 milionë lekë.

“Kjo është demagogji dhe ky është ligj demagogjik, që ja ne po sakrifikojmë për të kursyer, sepse jemi keq dhe sakrifica qënka shumë e madhe, 20 milionë lekë për vitin 2013!” tha deputeti demokrat, Ridvan Bode.

“Ky kursim që ty të duket qesharak, ndoshta ndikon që një motovedetë të dalë në det në një situatë, një makinë policie të ketë më shumë karburant, një shërbim të bëhet më mirë dhe mos shisni më kështu gjërash se është turp. Njerëzit e dinë, kur i thamë se ju keni cënuar rëndë sigurinë kombëtare. Dy institucione të rëndësishme të sigurisë kombëtare, mbrojtja dhe rendi janë të cënuara rëndë në aktivitetin e tyre nga papërgjegjshmëria në administrimin e fondeve që ju keni bërë si Qeveri”, tha deputeti socialist, Pjerin Ndreu.
 
Ndonëse parimisht ishin dakort me ligjin, demokratët e cilësuan ate si qesharak, në një kohë kur sipas tyre, Qeveria programon të kryejë 100 për qind të shpenzimeve të planifikuara në buxhetin e fillim vitit.

“Eshtë qesharake që të sillni 20 milionë lekë këtu në Komisionin e Ekonoisë, a thua se çfarë po bën Qeveria, po bën namin me kursimet, ndërkohë që nga ana tjetër nuk pyet për grafik shpenzimesh, nuk pyet për nevojën e uljes së oreksit”, tha Bode.

“Shpenzimet administrative të Qeverisë deri në fund të vitit nuk rriten, për më tepër që janë shkurtuar. Tabelat janë publike. Mund t’i verifikojë cilido, mund t’i bëjë të qarta për cdo shqiptar, cilido”, tha kryetari i Komisionit, Erjon Braçe.
 
Në fund ligji është miratuar me votat e të dy palëve në Komision, veç deputeti demokrat Sherefedin Shehu, i cili votoi kundër tij, me arsyetimin se ligji dëmton deputetët e rretheve periferike të vendit, që sipas tij nuk kanë biznese, por jetojnë me të ardhurat nga puna në Kuvend.

Top Channel