Marshim kundër kancerit të gjirit

27/10/2013 00:00

Për të pestin vit radhazi, gra e vajza, përfaqësuese të shoqërisë civile, politikanë dhe diplomatë të huaj kanë apeluar njëzëri për parandalimin e sëmundjes së kancerit të gjirit.

Të gjithë bashkë kanë marshuar përgjatë bulevardit të madh “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, për të dhënë një mesazh, kryerjen e kontrolleve dhe ekzaminimeve për diagnostikimin e kancerit të gjirit sa më herët.

Dhe kush më mirë se Aida Cano, një grua e mbijetuar nga sëmundja e rëndë, mund ta përcillte këtë apel për të gjitha gratë e vajzat shqiptare.

Fjalëve të saj i është bashkuar dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili përveç këshillave për një jetë të shëndetshme u ka bërë thirrje për më shumë kujdes të gjitha femrave, që në historinë familjare kanë pasur një rast të diagnostikuar me tumor.

“Një shmangie e një ekoje mamografie nuk na bën aspak ta largojmë problemin. Frika nuk parandalon, por na heq mundësitë për të jetuar. Vetëm parandalimi i hershëm na çon drejt një shërimi të sigurt, për këtë të jeni të bindur”, tha Aida Cano.

“Sepse nëse qëllon që kjo sëmundje godet dikë, sa më herët që të mund të dallohet, aq më shumë ekzistojnë trajtimet e duhura dhe larmia e tyre, në mënyrë që të mund të ndihmojnë në kurimin e kësaj sëmundjeve”, u shpreh Aleksandër Arvizu.

Në emër të organizatorëve të marshimit ndërgjegjësues, përfaqësuesja e shoqatës kristiane për gratë dhe vajzat, Kristina Jorgaqi, ka theksuar në fjalën e saj nevojën e bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe shtetit për rritjen e ndërgjegjësimit të grave e vajzave në gjithë vendin.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka deklaruar se prioritet i qeverisë është ulja e vdekshmërisë së kancerit në vend dhe veçanërisht kancerit të gjirit.

“Informacioni i detajuar për kancerin e gjirit, për rrugët e zbulimit të hershëm të tij, por dhe kontrolli i specializuar i mjekut është çuar drejtpërsëdrejti prej nesh në rreth 2 mijë gra të Shqipërisë”, tha Kristina Jorgaqi.

“Ne si qeveri jemi të angazhuar që të ofrojmë fokus më të madh te parandalimi dhe te diagnostikimi i hershëm. Besoj se me këto dy elementë do të jemi në gjendje që brenda disa vitesh të mund të arrijmë atë synim që kemi: jetë të shëndetëshme sa më të gjatë dhe fatalitete në numër sa më të vogël përpara moshës mesatare të jetëgjatësisë së shqiptarëve”, tha Ilir Beqja.

Marshimi ndërgjegjësues për parandalimin e sëmundjes së kancerit të gjirit u mbështet nga kompania “Top Media”.

Çdo vit në vendin tonë diagnostikohen rreth 4 mijë raste me tumor, prej të cilëve 400-500 janë paciente të prekur nga kanceri i gjirit.

Mjekët specialistë thonë se pjesa më e madhe e grave e vajzave diagnostikohen vonë, çka bën që të ulen mundësitë për të shpëtuar jetën nga vdekja.

Top Channel