Obama-aleatëve: Edhe ju na përgjoni

26/10/2013 02:25

I ndodhur nën presion, pas zbulimeve të fundit se Agjencia për Sigurinë Kombëtare (NSA) ka “futur hundët” më larg se ç’duhej drejt liderëve globalë, presidenti Barack Obama ka ofruar një përgjigje me dy kahe: Edhe ju na përgjoni gjithashtu, por ne do të bëjmë disa ndryshime.

Mijëra dokumente të rrjedhura nga ish-kontraktori i NSA-së, Edward Snowden, kanë portretizuar shtrirjen e madhe të aktiviteteve mbikqyrëse të SHBA-ve, duke mos ruajtur të dhëna vetëm për telefonatat në Amerikë, por edhe mbi internetin në rang global dhe trafikun e e-mail-eve.

Por, dokumentet e NSA-së të publikuara nga Snowden, të publikuara së fundi nga “the Guardian”, Der Spiegel”, “Le Monde” e të tjera media, përshkruajnë gjithashtu edhe spiunimet ndaj liderëve të huaj, të cilat tashmë kanë vënë në vështirësi diplomacinë amerikane, ka pranuar administrata Obama.

Lisa Monaco, këshilltarja e Obamës për Sigurinë Kombëtare dhe Antiterrorizmin, tha përmes një artikulli të publikuar në “USA Today” se presidenti ka urdhëruar rishikimin e programeve të survejimit “duke përfshirë respektimin ndaj partnerëve tanë të huaj. Ne duam të sigurojmë se i kemi mbledhur këto informacione, sepse na nevojiten, dhe jo thjesht sepse ne mundemi”.

Nuk është e qartë se çfarë ndryshimesh do të ofrohen pas rishikimit, apo nëse ato do të bëhen publike. Këto programe, në fund të fundit, janë dhe do të mbeten sekrete. Të paktën kështu konsideroheshin deri përpara zbulimit nga Snowden.

Ambasadorët e SHBA-ve në Europë dhe Amerikën Latine janë thirrur nga vendet ku kryejnë shërbimet, për t’u qortuar në lidhje me zbulimet e përgjimeve.

Të premten, liderët europianë përfunduan një samit të BE-së në Bruksel, me një paralajmërim të ashpër ndaj SHBA-ve në lidhje me aktivitetet e spiunazhit: “Mungesa e besimit mund të paragjykojë bashkëpunimin e nevojshëm”.

Liderët e BE-së nuk përmendën shkurtimin e ndonjë aktiviteti spiunazhi të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara apo diku tjetër.

Prej vitesh, zyrtarëve të qeverisë amerikane u është kërkuar të lënë në atdhe laptopët dhe telefonat e tyre, zakonisht kur udhëtojnë drejt Kinës, Rusisë dhe Izraelit. Për të shmangur spiunazhet e pritshme, ata marrin me vete zakonisht pajisje të formatuara.

Gjermania, delegacion shefash të inteligjencës në SHBA

Gjermania do të dërgojë shefat e saj më të lartë të inteligjencës në Washington, për të vazhduar më tej me hetimet ndaj akuzave se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar lideren, Angela Merkel.

Krerët e inteligjencës së huaj dhe vendase do të zhvillojnë takime në Shtëpinë e Bardhë dhe me Agjencinë për Sigurinë Kombëtare (NSA), tha një zëdhënës i qeverisë gjermane.

Më herët, Gjermania dhe Franca deklaruar se kërkojnë nga SHBA-të të nënshkruajnë një marrëveshje që ndalon survejimet brenda fundit të këtij viti. Liderët e BE-së kanë paralajmëruar gjithashtu se mungesa e besimit mund të dëmtojë edhe luftën kundër terrorizmit.

Veç Gjermanisë dhe Francës, edhe Spanja ndoqi të njëjtën rrugë gjatë së premtes, duke marrë në pyetje ambasadorin amerikan, për të shpjeguar raportet rreth përgjimeve në vendin e tyre. Por, edhe Italia shprehu irritimin e saj në lidhje me përgjimet.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, pranoi se zbulimet e fundit, – pjesa më e madhe kanë burim informatorin Edward Snowden, – kanë “krijuar një moment tensionesh me disa prej aleatëve tanë”. “Ne jemi duke diskutuar me ata, do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë, siç evidentohet me delegacionin gjerman që do të vijë në Amerikë në javët e ardhshme”, tha ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA