Strategji për energjinë në rajon

25/10/2013 01:00

Ministra nga vendet e qeverive të rajonit dhe përfaqësues të Bashkimit Europian miratuan strategjinë për Energjitikën në Europën Juglindore.

35 projekte në vlerë prej 30 miliardë eurosh kanë marrë vlerësimin e Komunitetit të Energjitikës, gjatë takimit të tyre në kryeqytetin serb.

Në këtë takim, për herë të parë, nga qeveria e re shqiptare mori pjesë edhe ministri shqiptar i Energjisë dhe Industrisë, Gjiknuri, i cili tha se Komuniteti i Energjitikës është i rëndësishëm, pasi Energjitika është një nga prioritetet e Bashkimit Europian.

“Problemet rajonale energjitike janë shumë të rëndësishme për sigurinë e furnizimit të vet vendeve, por njëkohësisht edhe për rëndësinë që ka furnizimi i energjisë për Europën. Ballkani po merr një rol strategjik, për më tepër edhe këtu u përmend si një nga projektet më strategjike prioritare edhe ndërtimi i gazsjellësit, që është në interes direkt të Bashkimit Europian. Njëkohësisht, në projektet që u miratuan sot, u futën edhe disa projekte që lidhen drejtpërdrejt me Shqipërinë, siç është projekti i Skavicës”, u shpreh Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë, Shqipëri.

Ndërkaq, në këtë takim mori pjesë edhe Kosova.

“Ka një simbolikë ardhja në Beograd dhe jo vetëm pjesëmarrja në mbledhje, për herë të parë kjo pas marrëveshjes. Që në mbledhjen e sotme, për herë të parë vërehet një frymë pak më ndryshe drejt realizimit të kërkesave që Kosova ka në sektorin e energjisë prej dhjetra vitesh”, tha Fadil Ismajli, ministër i Zhvillimit Energjitik të Kosovës.

Megjithatë, projektet rajonale të energjitikës, thanë përfaqësuesit e BE-së, nuk arrijnë nivelin e kënaqshëm të zbatimit dhe ky duhet të jetë një prioritet.

Ministrat, ndër të cilët edhe Gjiknuri, ishin pjesë edhe e takimit të një dite më parë, ku ishte edhe kryeministri serb, Ivica Daçiç.

Top Channel