Strategji për energjinë në rajon

25/10/2013 00:00

Ministra nga qeveritë e vendeve të rajonit dhe përfaqësues të BE miratuan strategjinë për energjetikën për Evropën Juglindore.

35 projekte me vlerë prej 30 miliardë euro kanë marrë vlerësimin e komunitetit të energjitikës gjatë takimit të tyre në kryeqytetin serb. Në këtë takim për herë të parë nga Qeveria e re e Shqipërisë mori pjesë edhe ministri shqiptar Damian Gjiknuri, i cili tha se komuniteti i energjetikës është i rëndësishëm, pasi energjetika është një nga prioritetet e BE-së.

“Problemet rajonale energjetike janë shumë të rëndësishme për sigurinë e furnizimit të vetë vendeve, por njëkohësisht edhe për rëndësinë që ka furnizimi i energjisë për Europën. Ballkani po merr një rol strategjik, për më tepër edhe këtu u përmend dhe u fut si një nga projektet strategjike edhe ndërtimi i gazsjellësit që është një interes direkt i BE-së. Njëkohësisht në projektet që u miratuan, u futën edhe disa projekte që lidhen direkt me Shqipërinë, siç është projekti i Skavicës”, tha Gjiknuri.

Në këtë takim mori pjesë edhe Kosova. “Ka një simbolikë ardhja në Beograd vetëm dhe jo pjesëmarrja në mbledhje, për herë të parë pas marrëveshjes. Që në mbledhjen e parë ndjehet një frymë pak më ndryshe, drejt realizimit të kërkesave që Kosova i ka me dhjetëra vite deri tani në sektorin e energjitikës”, tha Fadil Ismajli, ministër i Zhvillimit energjetik.

Top Channel