BSH, paketë për kreditë e këqija

24/10/2013 00:00

Banka e Shqipërisë do të ndërmarrë një paketë të gjerë masash, të
hartuar me ndihmën e Bankës Botërore për t’u përballur me rritjen masive
të kredive të këqija.

Top Channel ka mësuar përmbajtjen e paketës e cila nis me verifikimin e hollësishëm të kredive më të mëdha me probleme në cdo bankë të vendit. Burime nga banka e shqipërisë bëjnë të ditur se cdo banke private do i kërkohet të paraqesë listën e kredive më të mëdha problematike, të cilat do të studiohen rast pas rasti. Pas studimit të hollësishëm do të jenë ekspertët e bankës qëndrore dhe asaj botërore, ata të cilët do u japin bankave private sugjerimet se si duhet të veprojnë me këto kredi.

Rekomandimet mund të përfshijnë që nga ristrukturimi i huave me probleme dhe shtrirjen e tyre në kohë, në rastet kur do gjykohet se kredimarrësi është në vështirësi të përkohshme dhe deri tek ekzekutimi apo pastrimi i tyre nga bilanci. I gjithë ky proces do të udhëhiqet dhe mbikqyret njëkohësisht nga Banka e Shqipërisë.

Por kjo nuk është paketa e vetme e ndërhyrjeve të parashikuara për të zgjidhur ngërcin e kredive të këqija. Paralelisht këto ditë kanë mbërritur në Tiranë, rreth 20 ekspertë nga Fondi Monetar dhe Banka Botërore, të cilët do të qëmtojnë me hollësi gjendjen e sistemit financiar të vendit.

Monitorimi pritet të zgjasë disa javë. Në përfundim të tij ekspertët e FMN do të hartojnë një paketë me rekomandime konkrete për Qeverinë, për të mos lejuar thellimin e krizës së kredive të këqija, të shndërruar tashmë në shqetësimin më të madhe për qëndrueshmërinë financiare të vendit.

Top Channel