Qeveria, bono me afat 10-vjeçar

23/10/2013 00:00

Qeveria po përgatitet që për herë të parë të emetojë borxh me afat maturimi dhjetëvjecar në tregun e brendshëm.
Kjo
është hera e parë kur Ministria e Financave do të tentojë të marrë
borxh nga tregu vendas me afat maturimi dhjetë vjetë. Deri më tani
instrumenti me afatgjatë i borxhit në tregun e brendshëm janë
obligacionet 7-vjecare.

Burime nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë i thanë Top Channel se projekti për emetimin e obligacioneve me afat maturimi dhjetë vjet tashmë u është bërë i njohur bankave të nivelit të dytë. Dhe pas diskutimeve me to Qeveria do të fillojë emetimin e këtyre instrumentave brenda vitit.

Sipas burimeve fillimisht do të synohet që përmes obligacioneve dhjetëvjecare të merret deri në 5 miliardë lekë ose 50 milionë dollarë borxh. Më vonë përdorimi i tyre të zgjerohet. Afati i shkurtër i maturimit është cilësuar nga Fondi Monetar si një nga dobësitë shtesë të financave publike në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 54 për qind e borxhit të Qeverisë është afatshkurtër dhe duhet të shërbehet brenda 1 viti, çka bën presion të vazhdueshëm likuiditeti mbi financat publike.

Përmes emetimit të bonove dhjetëvjeçare Qeveria synon së pari të zgjasë afatin e shërbimit të borxhit dhe së dyti të përfitojë nga normat e ulëta të interesave që janë aktualisht në tregun e brendshëm.

Top Channel