Borxhi, shlyerje e menjëhershme

22/10/2013 00:00

Ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi se shlyerja e borxheve të
prapambetura ndaj biznesit do të jetë e menjëhershme, më një këst dhe jo
e shtrirë në vite.

“Sa më shpejt të jetë e mundur, ky është synimi ynë, në mënyrë që të nxisim rritjen e ekonomisë. Nuk shohim shumë nxitës të tjerë, prandaj e kemi fokusuar në axhendën tonë, që shlyerja e borxhit të jetë prioritare dhe të jetë sa më shpejt”, tha Cani.

Gjasat më të mëdha janë që fondet për shlyerjen e menjëhershme të borxhit të sigurohen nga FMN dhe Banka Botërore. Paraprakisht është përllogaritur se detyrimi total shkon në 560 milionë euro, por sipas Qeverisë shuma mund të jetë edhe më e vogël.

“Ne flasim për një shifër që do të nxjerrë Deloitte, por është edhe një proces i dytë që do të ece krahas, për të parë nëse është bërë shërbimi dhe punimi. Ne duam detyrimin faktik. Nga kjo ne themi që do të ketë një rivlerësim të situatës. Toni që do të gjejmë nga këto parregullsi do ta ulë këtë vlerë”, theksoi Cani.

Injektimi i menjëhershëm i këtyre fondeve tek sipërmarrja private merr formën e një stimuli të fortë fiskal, përmes të cilit Qeveria shpreson të rigjallërojë ekonominë. Ndaj, ministri Cani thotë se ky do të jetë prioritet absolut i pushtetit të ardhshëm, përkundrejt çdo shpenzimi tjetër, përfshirë pagat.

“Si ministër finance jam i hapur për çdo lloj rruge, mundësie e mase që do të kërkojë buxheti. I pari është buxheti, nuk është paga e ministrit të Financave, nuk është paga e një punëtori. Ne duhet një ta vëmë ekonominë në shina, në mënyrë që të ecë ekonomia për të shlyer vetveten dhe për të shlyer çdo detyrim tjetër që ne kemi”, tha Cani.

Në datën 30 nentor Deloitte do të dorëzojë raportin final për shumën totale të detyrimeve, prej nga do të nisë dhe procesi i verifikimit të tyre në terrn që do të kryehet nga vetë qeveria.

Top Channel