BB: Jemi pro taksës progresive

22/10/2013 00:00

Banka Botërore ka deklaruar për herë të parë publikisht se mbështet vendosjen e taksës progresive në Shqipëri. Drejtorja e Bankës për Ballkanin Perëndimor, Elen Goldstein tha se parimi progresiv është një nga katër masat që ky institucion i ka rekomanduar qeverisë shqiptare.

“Në diskutimet me qeverinë kemi theksuar katër ide të dobishme në lidhje me atë që duhet bërë. Njëra është që cdo masë e marrë të jetë neutrale në buxhet. Pra nëse ul taksat për dikë, duhet ta kompensosh duke rritur për dikë tjetër. Së dyti, mund të jetë shumë e dobishme të rritej progresiviteti i sistemit të taksave me qëllim që ata që kanë më shumë të ardhura të paguajnë më shumë se ata që kanë më pak. Së treti do të ishte ulja e evazionit dhe zgjerimi i bazës së tatim-paguesve, ndërsa masa e fundit është ruajtja e mekanizmave socialë për të mbrojtur njerëzit më të varfër”, deklaroi Goldstein, Drejtore e BB për Ballkanin Perëndimor.

E mbërritur në Tiranë së bashku me Drejtorin Ekzekutiv të Bankës për Shqipërinë Piero Cipolone, zonja Goldstein ka konfirmuar se Banka Botërore do të mbështesë qeverinë me hua për të shlyer detyrimet e prapambetura ndaj biznesit.

“Në lidhje me madhësinë e huasë mund t’ju them vetëm se do të jetë mjaftueshëm e madhe sa për të mbuluar hendekun e buxhetit sapo të jetë përcaktuar kuadri fiskal. Pra pasi të bihet dakort për masat në kahun e të ardhurave, atë të shpenzimeve do të mbetet një deficit që do të financohet nga burime të ndryshme dhe Banka Botërore do të hyjë në lojë si huadhënës i dorës së fundit për të mbyllur këtë deficit”, u shpreh zonja Goldstein.

Drejtuesit e Bankës kanë konfirmuar se kredia pritet të jetë e gatshme që në buxhetin e vitit të ardhshëm, por para se të lëvrohet duhet që të arrihet konsensusi për kushtet me qeverinë.

“Kjo është një hua që do të bëhet pjesë e buxhetit të qeverisë. Ky është kuptimi i mbështetjes buxhetore, pra s’janë para që shkojnë direkt në buxhet dhe nuk janë të bllokuara për projekte të caktuara. Pra projekti është të biem dakort se cilat janë masat që do të cojnë në situatë makroekonomike dhe fiskale të qëndrueshme. Sapo të bihet dakort për këtë, atëherë kredia do të jetë e disponueshme për të financuar buxhetin e vitit të ardhshëm”,tha Goldstein.   

Top Channel