Skema gjigante e mashtrimit me TVSH

18/10/2013 00:00

Në 1 tetor, kur Ministria e Financave sapo kishte publikuar të dhënat
fiskale të tetëmujorit, Top Channel paralajmëroi se rënia dramatike e të
ardhurave në muajt e tranzicionit politik qershor, korrik dhe gusht
hidhte dyshime të forta për elementë të veprave penale në administratën e
të hyrave publike.

“Asnjëherë më parë të ardhurat në buxhet nuk kanë rënë me ritme kaq të forta, të cilat nuk mund të shpjegohen, as me krizën ekonomike. Një situatë që hedh dyshime të forta se menjëherë pas zgjedhjeve tatimet dhe doganat në rastin më të mirë nuk kanë zbatuar ligjin, ndërsa në rastin më të keq kanë ngritur traun për të marrë përfitimet e fundit të pushtetit”, thuhej në materialin e përgatitur në 1 tetor.

Dy javë më pas dyshimet janë konfirmuar zyrtarisht. Ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë se në administratën tatimore janë konsumuar krime, me pasojë dëm financiar për buxhetin.  

“Ajo që është më shqetësuese për mua dhe që të jeni të bindur që jam duke e ndjekur, ka deri vepra penale në administrimin e fiskut në Shqipëri”, u shpreh Cani.

Top Channel ka mësuar se bëhet fjalë për një skemë gjigante mashtrimi me faturat e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Në lojë janë përfshirë kompani fantazmë nga Kina, të cilat sipas përllogaritjeve të para kanë marrë nga buxheti përmes faturave fiktive te TVSH, dhjetëra milionë euro.

Burimet bëjnë të ditur se pjesa dërrmuese e kësaj skemë është realizuar në korrik dhe gusht, pra në muajt e tranzicionit politik, kur të dhënat treguan një denatyrim të menjëhershëm dhe përtej normales në ritmin e mbledhjes së të ardhurave në buxhet. Ministria e Financave mësohet se po e ndjek çështjen përmes organeve ligjore. Vetë ministri Cani pritet të firmosë kallëzimin penal për personat dhe kompanitë që qëndrojnë pas skemës, emrat e të cilave nuk bëhen ende publike për shkak të hetimeve.

Ndërkohë Erjon Braçe, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, i kërkoi Ministrisë së Financave evidentimin e plotë të këtij rrjeti dhe veç ndëshkimit të tyre me ligj, rikuperimin e të ardhurave.

“Qartazi amnisti për evazion fiskal të këtyre 8-9 muajve nuk duhet të ketë. Përgjegjësi penale për gjithësecilin nga nëpunësit e shtetit që kanë shkelur ligjin dhe kanë lejuar kontrabandën dhe evazionin fiskal, pavarësisht se kush janë. Natyrisht, rikuperim të çdo vlere e cila rëndon në buxhetin e shtetit për këto 9 muaj”, u shpreh Braçe.

Financat publike të Shqipërisë prej vitesh po përballen me një spirale krize që duket se nuk ka fund për shkak të rënies së fortë të rritjes ekonomike dhe përkeqësimit në administrimin tatimor. Por denoncimet e fundit, tregojnë se pas rënies së të ardhurave qëndron dhe një tjetër arsye, ajo e vjedhjes përmes skemave të mashtrimit me kompani fantazmë, që pas këtyre transaksioneve të paligjshme, zhduken.
  

Top Channel