Qeveria rishikon buxhetin

18/10/2013 00:00

Komisioni kuvendor i ekonomisë miratoi ndryshimet në buxhet që ulin shpenzimet publike dhe rrisin borxhin me 22.4 miliardë lekë mbi kufirin e fillimvitit. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani shpjegoi para deputetevë arsyet që sipas tij i çuan financat publike në këtë pikë.

“Është rezultat i një pune ekstremisht të dobët nga dy autoritetet kryesore fiskale, por edhe të tretin që është lojrat e fatit, por janë ato të dyja përgjegjësit kryesorë”, deklaroi Cani.

Ndryshimet shkaktuan përplasje të forta në komision mes maxhorancës dhe opozitës së rikthyer në Kuvend. Debati nisi me planin e të ardhurave në tre muajt e mbetur të vitit.

“Në 8 muaj mosrealizimi mesatar mujor ka qenë 1.5 miliardë lekë, kurse ju do ta çoni në 5 miliardë lekë”, deklaroi ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

“Në qershor 2013 kanë hyrë në fuqi akte elektorale që zbusin tatim-taksat. Ne njëri-tjetrit nuk mund t’i fshehim faktin se 6-mujori i dytë në kohë elektorale ka qenë shumë më i ngarkuar”, replikoi ministri Cani.

Demokratët mendojnë se qeveria po keqmenaxhon edhe krahun tjetër të buxhetiti, atë të shpenzimeve, në kurriz të taksapaguesve. “Ju akuzuat se kemi bërë shpenzime të fryra në 6-mujorin e parë për qëllime elektorale. Nëse do bënit të njëjtin trend edhe për 4 muajit tuaj do të kishim 17 miliardë lekë më pak shpenzime”, vijoi Bode.

“Se si do menaxhojmë ne nga janari 2014, këtë do vijmë ta krahasojmë më vonë gjatë vitit me performancën tuaj”, u përgjigj kryetari i komisionit të ekonomisë, Erjon Braçe.

Pika tjetër e nxehtë e debatit ishte shifra e borxhit publik. Demokratët pretendojnë se e lanë vendin me borxh 63 për qind, por qeveria thotë se ky nivel nuk ishte real për shkak të manipulimit të shifrave me prodhimin kombëtar dhe borxheve të fshehura.

“Si ndodhi që në 4 muaj e rritët borxhin me 6 për qind, sa ç’është rritur për 4 vjet rresht në periudhën e krizës globale?”, pyeti Bode.

“Po thoni që ju e keni dorëzuar 64 dhe unë po e çoj 69 për 4 muaj që kemi në fuqi?! Kujt i shitet kjo? Pikërisht sepse ndjeja hesape të fshehura nga ju u detyrova të thërrisja një firmë të huaj për të ndarë shapin nga sheqeri”, u përgjigj Cani nga ana e tij.

Buxheti i ri parashikon 405 miliardë lekë shpenzime totale dhe një defiçit rreth 83 miliardë lekë, ose afër 6.3 për qind e prodhimit kombëtar.

Top Channel