Washington Post: Dronët iranianë goditën stacionin e CIA-s në ambasadën në Riad Pasi Arabia Saudite refuzoi pozicionin e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, duke e akuzuar këtë organizëm për standarde të dyfishta, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, tha se nuk ka marrë asnjë njoftim nga ky vend dhe nuk pranoi të tregonte nëse do ta diskutonte çështjen me Mbretin saudit.
Në deklaratën e saj, Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite kërkoi reformimin e OKB-së, akuzoi Këshillin e Sigurimit se ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve ndaj Sirisë, si dhe vendet ku ka ende konflikt.
Arabia Saudite iu referua edhe çështjes palestineze, e cila për 65 vjet nuk ka gjetur një zgjidhje, edhe asaj të armëve të shkatërrimit në masë, të pazhdukura ende nga rajoni.
Ambasadori francez në OKB, Gerard Aro, tha se “Arabia Saudite ka sjellë një kontribut shumë pozitiv në Këshillin e Sigurimit, por nga ana tjetër e kuptojmë zhgënjimin e këtij vendi. Fakt është, që ky organizëm nuk ka vepruar për më shumë se dy vjet”.
Megjithatë, Ministria e Jashtme ruse i cilësoi të çuditshme kritikat për Këshillin e Sigurimit, në lidhje me Sirinë.
Muajin e kaluar, ky organizëm votoi unanimisht një rezolutë detyruese për eliminimin e armëve kimike të këtij vendi.
Njoftimi për të refuzuar pozicionin e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit erdhi, pasi Arabia Saudite ishte zgjedhur për herë të parë për të qenë pjesë e këtij organizmi, ku do të qëndronte për dy vjet krah 5 të përhershmëve: Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Kinës dhe Rusisë.
Vëzhguesit thanë se Arabia Saudite ka punuar për vite të tëra për të fituar një vend në Këshillin e Sigurimit, kështu që vendimi është marrë nga maja e lidershipit të Mbretërisë.
***
Sauditët, së bashku me Turqinë janë dy vendet e rajonit që mbështesin më shumë lëvizjen kryengritëse kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.
Këshilli i Sigurimit përbëhet nga pesë anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje, SHBA, Kinë, Rusi, Francë e Britani, si dhe nga dhjetë anëtarë të përkohshëm me një mandat 2-vjeçar.
“Mekanizimi i punës dhe standardi i dyfishtë i përdorur nga Këshilli i Sigurimit në përmbushjen e detyrave të tij e marrjen përsipër të përgjegjësive që duhet të ketë në ruajtjen e paqes botërore e pengojnë Arabinë Saudite që të bëhet pjesë e kësaj instance të OKB-së”, deklaroi ministri i Jashtëm saudit në një deklaratë për shtyp.
Riadi gjithashtu përsëriti protestën e tij për “lejimin e qeverisë siriane që të vrasë qytetarët e saj me armë kimike, pa iu imponuar asnjë sanksion” dhe për “apatinë e treguar në zgjidhjen e çështjes palestineze, e cila prej 65 vitesh vazhdon të pengojë arritjen e paqes në Lindjen e Mesme”.
Top Channel