Studimi: Përhapet skllavëria moderne

17/10/2013 00:00

Rreth 30 milionë persona në mbarë botën jetojnë si skllevër, bën të ditur një studim i ri që ka përfshirë 162 vende.

Indeksi i skllavërisë globale për vitin 2013 tregon se India ka numrin më të madh të njerëzve që jetojnë në kushte skllavërie, me të paktën 14 milionë.

Por shifra shumë të larta ka edhe Mauritania, rreth 4 për qind të popullsisë së saj. Autorët e raportit shpresojnë se ai do të ndihmojë qeveritë që të frenojnë atë që e quajnë një “krim të fshehur”.

Treguesi u plotësua nga organizata e të drejtave të njeriut me bazë në Australi, Walk Free Foundation, duke përdorur një përkufizim të skllavërisë moderne, që përfshin skllavërinë si pasojë e borxheve, martesat e detyruara dhe trafikun e qënieve njerëzore.

“Shumë qeveri nuk do të duan ta dëgjojnë atë që do të themi ne. Për ato qeveri që do të duan të punojnë me ne, ne do të jemi shumë të hapur për të sugjeruar masat më të mira për t’u përballur me çështjen e skllavërisë moderne”, deklaroi shefi ekzekutiv i WFF, Nick Grono.

Organizata vlerëson se shifra prej rreth 30 milionë skllevër në mbarë botën është më e lartë nga sa përpiqen disa shtete të vlerësojnë shkallën e skllavërisë globale.

Organizata Ndërkombëtare e Punës vlerëson se rreth 21 milionë persona janë viktima të punës së detyruar. India, Kina, Pakistani dhe Nigeria kanë numrin më të lartë të njerëzve të skllavëruar, thotë organizata e bamirësisë.

Bashkë me pesë vende të tjera ato përbjnë treçerekun e totalit të njerëzve të përfshirë në botën e skllavërisë moderne. Studimi ka pasur mbështetjen e figurave të rëndësishme botërore si ish-sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.

Zonja Clinton tha se, edhe pse treguesi nuk është i përsosur, ai përbën një pikë nisjeje. “U bëj thirrje liderëve në mbarë botën që ta shohin këtë indeks si një thirrje për veprim dhe të fokusohen në punën për t’iu përgjigjur këtij krimi”, deklaroi Clinton.

Shifrat e skllevërve në botë:

India – 13,956,010
Kina – 2,949,243
Pakistani – 2,127,132
Nigeria – 701,032
Etiopia – 651,110
Rusia – 516,217
Tailanda – 472,811
RD Kongo – 462,327
Burma – 384,037
Bangladeshi – 343,192

Renditja në përpjestim:

Mauritania
Haiti
Pakistani
India
Nepali
Moldavia
Benini
Bregu i Fildishtë
Gambia
Gaboni

Top Channel

DIGITALB DIGITALB