SHBA, Obama përshëndet rihapjen e qeverisë

17/10/2013 00:00

Presidenti Obama e përshëndeti marrëveshjen që rriti përkohesisht tavanin e borxhit e rihapi qeverine federale pas 16 ditesh paralizimi të punës, duke deklaruar se me këtë levizje do të davaritet edhe hija e pasigurisë mbi ekonominë amerikane.

“Hapja e qeverisë do të nisë menjëherë. Në këtë mënyrë do të arrijmë të qetësojmë bizneset dhe amerikanet se ngërci u kapërcye dhe nuk do të këtë pasoja”, deklaroi Obama.

Me firmën e presidentit, niveli tavan i borxhit prej 16.7 trilionë dollarësh do t’i mjaftojë vendit deri më 7 shkurt, duke përfshirë festat e fundvitit: Ditën e Falenderimeve dhe Krishtlindjet, dy data të rëndësishme për aktivitetin e biznesit.

Projekt-ligji parashtron terrenin për negociata mbi reduktimin e defiçitit. Obama u shpreh i gatshem të punojë me ligjvënës nga te dy krahet për të ndihmuar në korrigjimin e problemeve fiskale për periudhën afat-gjatë.

“Demokratët nuk janë të vetmit, të cilëve u lindin ide të mira. Pavarësisht dallimeve mes nesh sa i takon mbylljes se qeverisë,  jam i bindur se të dy palët mund të punojnë së bashku për t`i sjellë progres Amerikës”, shtoi presidenti amerikan.

Marrëveshja bipartizane ishte rezultat i bashkepunimit te liderit te shumicës demokrate në Senat Harry Reid dhe kreut te pakices republikane, Mitch McConnell, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve, paaftësia e kryetarit republikan John Boehner për të vënë nën kontroll fraksionin rebel “Tea Party” e vuri disi në pikëpyetje rolin e tij udhëheqës.

Pavarësisht paktit, Boehner deklaroi se  republikanët nuk do të heqin dorë nga beteja për shfuqizimin e ligjit të kujdesit shëndetësor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB