Kongresi amerikan i ka dhënë fund mbylljes së përkohshme të qeverisë federale dhe ka vendosur rritjen e përkohshme të tavanit të borxhit në mesnatë, rreth 4 orë dhe 2 orë nga afati i fundit për të shmangur falimentimin e vendit, respektivisht Senati me 81 vota pro e 18 kundër e Dhoma me 285 pro e 144 kundër, marrëveshjes së arritur gjatë ditës së mërkurë.
Tashmë marrëveshja e arritur më herët gjatë së mërkurës pret të nënshkruhet nga presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, për të hyrë në fuqi e për të rihapur menjëherë qeverinë, si dhe për të rritur tavanin e borxhit.
Lideri i shumicës së Senatit, Harry Reid, tha për reporterët gjatë ditës së mërkurë (orët e para të së enjtes), vetëm pak pasi Senati aprovoi marrëveshjen e arritur me konsensusin e lidershipeve të të dyja partive, se: “Arritëm më në fund të mblidhemi bashkë në të njëjtin mendim, për shumë arsye të ndryshme”.
Më pas, presidenti Barack Obama doli në një konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, për të përshëndetur miratimin e marrëveshjes në Senat.
“Falënderoj lidershipin e të dy partive për arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe për aprovimin e saj në Senat. Nëse ajo kalon edhe në Dhomën e Përfaqësuesve do ta nënshkruaj menjëherë dhe po aq shpejt do të nisim edhe rihapjen e qeverisë sonë”.
Duke thënë se ai “nuk mendon kurrë se demokratët kanë monopolin e ideve të mira”, presidenti Obama shtoi se: “Jam i gatshëm të punoj me këdo, mbi çdo ide të mundshme që do të rriste ekonominë tonë, do të krijonte vende të reja punë, do të forconte klasën tonë të mesme dhe do të zgjidhte problemet tona fiskale për një periudhë afatgjatë”.
Populli amerikan dëshiron nga politikanët në Washington “mos të kenë vëmendjen te politika, te zgjedhjet, por të fokusohen në hapa konkrete që do të përmirësojnë jetët e tyre”, deklaroi Obama.
Presidenti amerikan shtoi se politikanët në Washington do të duhet të “dalin nga zakoni i qeverisjes përmes krizave”. “Shpresoj që herën e ardhshme, zgjidhja të mos arrihet pas 11 orësh”, tha Obama për reporterët, duke nxitur politikanët nga të dyja palët të punojnë për zgjidhje afatgjata.
Bazuar mbi këtë marrëveshje, tavani i borxhit federal do të rritet deri më 7 shkurt, ndërsa qeveria do të financohet deri më 15 janar.
Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, e pati të pamundur të mbronte kauzën e republikanëve të tij, ndërkohë që ka deklaruar për një stacion radiofonik të vendlindjes së tij, Ohio, se: “Luftuam për një betejë të drejtë, por thjesht nuk arritëm të fitonim”. Më tej, ai i bëri thirrje republikanëve të aprovojnë marrëveshjen edhe në Dhomë, ku republikanët kanë shumicën.
Top Channel