4 emigrantë të dyshuar ilegalë kanë vdekur dhe 11 të tjerë janë shpëtuar, pasi një varkë është mbytur rreth 11 km larg brigjeve të Miami-t në SHBA, njoftuan rojet bregdetare.
Ekipet e rojes bregdetare gjetën të mbijetuarit, të cilët mbaheshin ende pas mbetjeve të varkës së tyre, pasi i ishin përgjigjur një thirrjeje shqetësuese për shpëtim.
Pjesa më e madhe e të mbijetuarve raportohen të jenë nga Haiti dhe Xhamajka. Një prej tyre u çua në spital, pasi kishte nevojë për kujdes mjekësor, ndërsa të tjerët u dërguan në paraburgim, me dyshimin se ishin pjesë e një operacioni trafikimi.
Rojet bregdetare thonë se nuk kanë besim se mund të gjendet ndonjë tjetër i mbijetuar, ndaj dhe pezulluan kërkimet në ujërat e Miami-t.
“Një prej njerëzve në bordin e varkës na telefonoi”, tha nënoficerja e marinës Sabrina Laberdesque për BBC.
Tashmë është bërë e zakonshme, që emigrantë ilegalë nga vendet e karaibeve, si Haiti dhe Kuba, të ndërmarrin nisma të dështuara me varka të papërshtatshme e me udhëtime të rrezikshme drejt brigjeve të Floridës, me shpresën për të hyrë në territorin e SHBA-ve.
“Njerëzit tentojnë gjithmonë udhëtimet përmes detit”, tha Laberdesque, duke shtuar se roja bregdetare ka kapur 1357 kubanezë dhe 508 haitianë, ende pa shkelur në tokën amerikane, brenda këtij viti deri më 30 shtator.
Top Channel