Të paktën 6 persona kanë ndërruar jetë dhe 2 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi gazi në shtetin qendror të Meksikës, Puebla, bëjnë të ditur zyrtarët.
Ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin në impiantin e ruajtjes së gazit natyror, në parkun industrial të Chachapa-s. Si pasojë e shpërthimit nisi edhe një zjarr, i cili ka përfshirë një pjesë të madhe të zonës përreth.
Autostrada kryesore që lidh Mexico City dhe Veracruz është mbyllur prej më shumë se 4 orësh, teksa zjarrfikësit u përpoqën të vinin flakët nën kontroll. Bizneset dhe shtëpitë pranë vendngjarjes u evakuuan në një rreze prej 3 kilometrash.
Shpërthimi ndodhi në 18:30 me orën lokale në impiantin e zotëruar nga “Tomza Gas”. Zyrtarët lokalë thanë se shumica e punëtorëve e kishin përfunduar ditën e punës, duke bërë që numri i viktimave të jetë fatmirësisht i ulët.
4 trupa të pajetë u gjetën vetëm pak pas shpërthimit. Dy të tjerë, të djegur tërësisht, u gjetën më vonë në rrënojat e impiantit. Viktimat nuk janë identifikuar ende, ndërsa guvernatori Rafael Moreno Valle ka vizituar menjëherë vendngjarjen.
Top Channel