Japoni, kërkime për të humburit pas tajfunit

17/10/2013 00:00

Skuadrat e shpëtimit në Japoni kanë punuar gjithë natën mes së mërkurës
dhe së enjtes, në kërkim të të mbijetuarve nga tajfuni “Wipha”, që ka
vrarë të paktën 18 persona.

Rreth 39 persona të tjerë konsiderohen të humbur në ishullin Izu Oshima, në jug të Tokios, pasi tajfuni shkaktoi stuhi dhe rrëshqitje toke gjatë së mërkurës.

Guvernatori i ishullit është kritikuar për mosdhënien e urdhërit të evakuimit. Në Tokio, tajfuni bëri që të mbylleshin shkollat dhe që rreth 400 fluturime të anuloheshin.

Mbi 1 mijë efektivë të skuadrave të shpëtimit në ishullin Izu Oshima zhvilluan kërkime në grumbujt e baltës dhe rrënojat e shtëpive për trupa. Yoshinori Sano, një zëdhënës i skuadrave të shpëtimit, deklaroi se kanë shpresa për gjetjen e të mbijetuarve.

Oficerët e policisë përdorën sharra me zinxhirë dhe lopata për të liruar trupin e një gruaje që ishte varrosur në baltë dhe në rrënojat e një shtëpie prej druri.

“Do të doja të kërkoja falje pasi disa persona mund të ishin shpëtuar nëse në qytet do të ishte dhënë urdhëri i evakuimit”, deklaroi kryetari i bashkisë së ishullit, Masafumi Kawashima.

Ai tha se nuk e kishte dhënë urdhërin në fjalë pasi druhej se, evakuimi në errësirë dhe mes shirave të dendura do të kishte çuar në një katastrofë të dytë. “Por në retrospektivë mendoj se ishte diçka navie”, tha Kawashima.

Ndërkohë, operatorët në impiantin bërthamor të Fukushimës deklaruan se kishin konstatuar rritje të nivelit të radioaktivitetit pasi shirat e dendura bënë që terreni i kontaminuar të rrëshqiste në një shteg që të çon drejt detit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB