I mbijetoi varjes, “Amnesty”: T’i falet jeta të dënuarit

17/10/2013 15:55

Grupi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, “Amnesty International”, i kërkoi Iranit që t’i kursejë jetën një të dënuari me vdekje, i cili i mbijetoi ekzekutimit të tij të parë me varje.

I dënuari, i quajtur Alireza M., u gjet i gjallë pasi ishte transportuar në morg javën e shkuar pas varjes së realizuar në një burg në qytetin verilindor të Bojnordit.

Aktualisht, 37-vjeçari është duke u kuruar në një spital, në përgatitje për përsëritjen e ekzekutimit të tij.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, Irani është vendi i dytë që përdor më shumë dënimin me vdekje pas Kinës, për një shumëllojshmëri akuzash që variojnë nga vrasja, tek përdhunimi, spiunazhi e trafiku i lëndëve narkotike.

Megjithatë, Teherani ka shpërfillur deri më tani thirrjet e këtyre organizatave.

Një zyrtar iranian tha në media: “Verdikti i gjykatës ndaj këtij të dënuari ishte vdekja dhe vendimi i ligjshëm do të zbatohet deri në fund”.

Sipas “Amnesty”, të paktën 508 persona janë ekzekutuar në Iran vetëm gjatë vitit 2013.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA