Gjermani, një hap nga “koalicioni i madh”

17/10/2013 00:00

Thuajse një muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, koalicioni i madh mes të majtëve dhe të djathtëve në Gjermani është një hap larg formimit të tij.

Në raundin e tretë të bisedimeve, kancelarja Angela Merkel dhe udhëheqësit e social-demokratëve të majtë ranë dakort për mbajtjen e bisedimeve formale tashmë, pasi kanë rënë dakort për termat e tjera të qeverisjes së ardhshme.

Sipas mediave gjermane, duket se Merkel ka zbutur qëndrimin e saj përballë social-demokratëve sa i përket pagës minimale, një lëshim i bërë ndaj të majtëve dhe tashmë bisedimet vijuese do të përqendrohen në përcaktimin e ministrave.

Jashtë skenarëve nuk përjashtohet marrja e financave nga ana e social-demokratëve. Largimi i ministrit aktual, Wolfgang Schaeuble mund të përkthehet në zbutje të qëndrimeve të Gjermanisë sa i përket politikave ekonomike.

Zbutja e këtyre qëndrimeve do të lehtësonte vendet e prekura nga kriza në Eurozonë të cilat Gjermania, si huadhënësja kryesore u ka imponuar shkurtime drastike të shpenzimeve.

Formimi i qeverisë së re mund të kërkojë ende shumë kohë, por korespondenti i BBC-së thotë se shenjat janë pozitive deri më tani dhe të dyja palët kanë sheshuar shumë prej mosmarrëveshjeve që u shpalosën edhe në ditët e fushatës.

Në zgjedhjet e 26 shtatorit, CDU e Merkelit se bashku me aleaten e saj CSU mori 41.5 përqind të votave, ndërsa SPD 26 përqind të tyre, komunistët 8.6 përqind dhe të gjelbërtit 8.4 përqind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB