Britania, marrëveshje bërthamore me Kinën

17/10/2013 00:00

Kancelari George Osborne ka njoftuar se Mbretëria e Bashkuar do të lejojë kompanitë kineze që të bëhen aksionere në impiantet bërthamore britanike.

Vendimi mund të bëjë që Kina në të ardhmen të luajë një rol më të madh në zhvillimin e brezit të ardhshëm të impianteve britanike të energjisë. Zoti Osborne e bëri deklaratën e tij në ditën e fundit të vizitës së tij në Kinë.

Marrëveshja e parë me Kinën mund të zyrtarizohet javën e ardhshme, me dritën jeshile për një impiant të ri prej 14 miliardë stërlinash në zonën Hinckley C.

Redaktori i ekonomisë pranë BBC, Robert Peston deklaron se interesi i lartë i kancelarit për të lejuar kompanitë kineze për të investuar në industrinë bërthamore të Britanisë vjen pasi ajo i ka xhepat të thellë.

Projekti për impiantin Hinckley C, në lokalitetin Somerset, do të drejtohet nga kompania shtetërore franceze EDF, që deri tani ka kërkuar partnerë për të ndarë kostot.

EDF ka qenë në negociata me tre kompani gjigande kineze, CGN, CNNC dhe SNPTC, përfaqësuesit e të cilave janë takuar nga kancelari gjatë kësaj jave.

Korrespondenti i BBC në Pekin thotë se është informuar se një apo dy nga kompanitë në fjalë do të zotërojë rreth 30 për qind të aksioneve të Hinckley C.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB