Tre kamerunase në Shkodër

16/10/2013 00:00

Shumë pak njerëz e dinë që ekipi i Vllaznisë së Shkodrës për femra tashmë ka tre futbolliste me ngjyrë.

Dy javë më parë, tifozeria e skuadrës as që e kishte menduar se do të bënte tifo për lojtaret e kombëtares së Kamerunit, por pas tratativave tashmë gjithçka është vendosur. Blerja më e re e ekipit janë Beyne Ariane Bebey, 21 vjeç, Ada Jacquet 22 vjeç dhe Sonkeng Ysis Amariele, 24 vjeç.

Rruga për të mbërritur deri në Shqipëri ka qenë e gjatë. Në fillim, vajzat u dalluan nga një teknik në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 2012. Duke parë performancën e mirë, menaxheri i bëri ftesë për të luajtur në Turqi, gjë që u pranua nga të rejat. Pikërisht në Stamboll, vajzat u pikasën nga krerët e Vllaznisë, të cilët nisën tratativat për blerjen e tyre.

Sot ato stërviten dhe luajnë përkrah vajzave të ekipit shkodran. Ambienti që kanë gjetur në skuadër është mjaft i ngrohtë. Dita nis me stërvitjet intensive të përditshme dhe me trajtimin e fizioterapistit. Mendojnë se kanë gjetur një skuadër që është si familje për ta, teksa nuk qëndrojnë me vajzat e grupit vetëm në fushë, por dhe jashtë saj.

Këtë gjë e dëshmon fakti që vajzat, ditëlindjet e pjesëtareve të skuadrës i festojnë së bashku, duke bërë që kamerunaset, paçka ngjyrës së lëkurës, kulturës së ndryshme apo gjuhës, të përshtaten shpejt në Shqipëri.

Desantina Hoxhaj, një nga futbollistet e Vllaznisë, deklaroi në studion e emisionit “Pasdite në Top Channel” se koleget e reja janë pritur shumë mirë: “I kemi pritur shumë mirë sepse në Shkodër nuk kemi paragjykime raciale apo fetare. I marrim në hotel dhe i shëtisim që të ndihen si në shtëpinë e tyre. Sa më mirë të ndihen këto vajza në Shkodër, aq më mirë del edhe loja.”

Njëra nga kamerunaset, Beyene Ariana Bebey, shprehet: “Më mungon familja dhe miqtë, por me kalimin e kohës mendoj se mund ta sjell familjen në Shqipëri. Njerëzit këtu na duan shumë.”

Gjithsesi, Beyene pranon se nuk është e thjeshtë për njerëzit me ngjyrë të integrohen në një vend europian: “Nuk është e thjeshtë të integrohemi dhe mund të them që në Turqi ka qenë e vështirë shumë.”

Ndërsa Sonkeng Ysis Amariele tha: “Ndihem shumë mirë në Shqipëri. Se sa kohë do të qëndroj këtu do të varet nga presidenti i skuadrës, por unë nuk kam probleme.”

Abrahami, nigeriani që e ndjen veten shqiptar

Abraham Alecenu është nigerian. Ai ka 9 vjet që jeton dhe punon në Shqipëri si futbollist profesionist. Ishte viti 2004 kur Abrahami, atë kohë një djalosh vetëm 17-vjeçar, erdhi në vendin tonë për të luajtur me ekipin e Gramozit.

Mbrojtësi i majtë ka kaluar në shumë skuadra të ndryshme gjatë kësaj dekade, por gjithmonë ka gjetur përkrahjen dhe mirëkuptimin e shokëve të skuadrës pa u paragjykuar për ngjyrën e lëkurës apo diferencën kulturore. Aktualisht, Abrahami luan në Superligë me ekipin e Kastriotit ku kolegët e vlerësojnë shumë.

“Abrahamin e njoh prej kohësh dhe kurrë nuk e konsiderojmë si të huaj. Ai është perfekt me gjuhën dhe na duket shqiptar”, thotë njëri prej lojtarëve të skuadrës krutane.

Të gjithë në skuadër e njohin mirë, madje e konsiderojnë si shpirtin e saj. Paçka ndryshimeve me vendin e origjinës, Abrahami ka ditur të përshtatet më së miri: “Asnjë futbollist me ngjyrë në Shqipëri nuk është paragjykuar pasi edhe sjellja e tyre nuk të lë shkak për paragjykime.”

Kur kanë kohë të lirë, çunat e skuadrës organizohen dhe jashtë fushës së futbollit, duke treguar se janë një grup i vetëm.

Falë qëndrimit 10-vjeçar në Shqipëri familjarisht, Abrahami flet shumë mirë gjuhën shqipe, ndërsa ka shprehur dëshirën që një ditë të përfaqësojë Shqipërinë në nivele ndërkombëtare.

Edhe pse karrierën e nisi në Nigeri në moshë fare të vogël, sot nigeriani ndihet pak shqiptar dhe e konsideron vendin tonë një “shtëpi të dytë”.

Paragjykimet ndaj njerëzve me ngjyrë

Në të gjitha kohërat, paragjykimet për njerëzit me ngjyrë kanë qenë të zakonshme. Pas hapjes së kufijve, në Ballkan nisën të vinin me motive pune shumë persona nga Afrika, Brazili, Egjipti apo India. Edhe pse nuk i përkisnin racës europiane, të ardhurit u përshtatën më së miri me “Atdheun e ri”.

Ata përballen me çudinë e njerëzve që nuk kanë parë kurrë një racë të ndryshme nga ta dhe shpesh me paragjykime të cilat vijnë nga mosnjohja. Ka nga ata njerëz të cilët kur i shohin në rrugë u kërkojnë që të bëjnë foto me ta apo u thonë kalimtarëve të tjerë “shiko pak përpara”. Paçka reagimeve të çuditshme dhe paragjykimeve për ngjyrën e lëkurës, ata i kanë qëndruar besnikë komunitetit të tyre me të cilët shpenzojnë kohën e lirë.

Shpeshherë, miqtë më të mirë janë vendas, por nuk kanë munguar dhe rastet kur fare rastësisht kanë gjetur partnerin e jetës. Profesioni më i zakonshme për personat me ngjyrë në Shqipëri është ai i futbollistit. Të gjitha skuadrat vendase kanë ose kanë patur në të shkuarën të paktën një futbollist nga Brazili, Nigeria apo Kameruni. Tregu i merkatos së madhe të futbollit botëror ka sjellë në dy dekadat e fundit në Shqipëri dhjetëra të tillë.

Më pas, vijnë inxhinierët, pedagogët apo dhe ekonomistët. Së fundmi, listës së profesioneve po i shtohen fotomodelet apo balerinat të cilat pas firmosjes së kontratave të punës janë ambientuar shumë shpejt me stilin e jetës së Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA