Një prej drejtuesve më të lartë të Kishës Ortodokse Siriane, patriarku Gregorios III Laham dha alarmin mbi eksodin që po shkakton lufta civile në radhët e të krishterëve.
Sipas Laham, të krishterët sirianë po përballen me një “hemoragji” të vërtetë, ndërsa midis 450-500 mijë prej tyre janë larguar, prej popullsisë së përgjithshme prej 1,75 milionë.
Të krishterët përbëjnë pothuajse 10% të popullsisë së përgjithshme siriane, por largimi i tyre nga vendi ka pasur një normë pothuajse tre herë më të lartë se sa i bashkëkombasve muslimanë.
Përveç kushteve dramatike të jetesës, ajo që ka ndikuar që më shumë të krishterë të largohen lidhet edhe me frikën që ndien kjo popullsi ndaj lëvizjeve ekstreme muslimane, të ndodhura brenda forcës së kryengritësve sirianë.
Në një intervistë për “BBC”, megjithatë Gregorios i dha kurajo ndjekësve të tij, duke thënë se “ndërsa krishtërimi ka rezistuar në këtë truall për dhjetëra shekuj, nuk do të jetë një lufte civile që do ta zhdukë atë”.
Patriarku shprehu gjithashtu përkrahjen e tij për shkatërrimin e plotë të armëve kimike brenda vendit.
Në luftën civile siriane, të nisur pas shtypjes së dhunshme të protestave paqësore në Mars 2011, të paktën 110 mijë persona kanë mbetur të vrarë.
Top Channel