Rusi, apeli liron Navalny-n

16/10/2013 00:00

Një gjykatë apeli në qytetin e Kirovit në Rusi pezulloi dënimin e Alexei Navalny-t, liderit të opozitës ruse që akuzohet për përvetësim fondesh.

Në korrik ai u dënua me 5 vite burgim, dënim që u mbajt pezull në pritje të apelimit. Navalny mohon akuzat e ngritura kundër tij që lidhen me kohën kur ishte këshilltar i guvernatorit të rajonit të Kirovit.

Në shtator, gjatë kohës kur ishte në burg ai kandidoi në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Moskës, ku në përfundim të rezultatit të kontestuar u rëndit i dyti, pas kandidatit të mbështetur nga Kremlini dhe presidenti Putin.

Në fjalën e tij në gjykatën e apelit, Navalny akuzoi sërish sistemin e drejtësisë se po e persekuton për arsye politike.

“Mendoj që motivimi politik pas akuzave që ngrihen kundër meje janë të dukshme për këdo”, tha ai.

Alexei Navalny, i njohur si një aktivist anti-korrupsion, mori 27 përqind të votave në garën për kryetar bashkie në Moskë ku fitues u shpall Sergei Sobyanin me 51 përqind të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB