Rinisin bisedimet, pas anulimit të votimit

16/10/2013 03:00

Vetëm pak pasi liderët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve anuluan planet për një votim gjatë natës së të martës, dy figurat më të larta të Senatit rinisën bisedimet e tyre me synimin për t’i dhënë fund ngërçit buxhetor.

Zëdhënësi i demokratit Harry Reid dhe republikanit Mitch McConnell, respektivisht liderë të shumicës dhe pakicës së dhomave të tyre, tha gjatë orëve të vona të së martës se ata rinisën negociatat me synimin për të krijuar legjislacionin, që do të rihapte totalisht qeverinë dhe do të rriste tavanin e borxhit të vendit.

“Senator Reid dhe senator McConnell janë optimistë se një marrëveshje mund të arrihet”, tha Adam Jentleson, zëdhënës i Reid.

Stafet e Senatit do të punonin gjatë natës për hartimin e një kornize ligjore, kështu që asnjë njoftim nuk pritet deri ditën e mërkurë, tha zëdhënësi i McConnel, Don Stewart.

Ende nuk është e qartë nëse e mërkura do të sjellë veprimet e shumëpritura edhe në Dhomë. Teksa la “Capitol Hill”, lideri i shumicës së Dhomës, Eric Cantor, tha se “nuk do të kishte votim gjatë së martës. Do të rishihemi mëngjesin e së mërkurës”.

Kushdo që të marrë kryesimin, nuk do të mund të shmanget fakti se mbyllja e pjesshme e qeverisë federale po hyn në ditën e 16 të saj dhe se Shtetet e Bashkuara janë tashmë më afër se kurrë falimentit kërcënues.

Cantor, republikan i Virxhinias, nuk iu përgjigj pyetjeve se çfarë mund të ofrojnë orët në vijim.

Departamenti i Thesarit njoftoi edhe njëherë se do të arrijë kufirin e borxhit ekzistues ditën e enjte, teksa ekonomistët paralajmërojnë se dështimi për të rritur tavanin e borxhit përpara këtij afati mund të godasë normat e interesit dhe të shkaktojë një impakt katastrofik brenda dhe jashtë kufijve.

Ndërkohë që lidershipi republikan duket i paaftë për të ofruar ndonjë plan të pranueshëm për anëtarët e tyre, firma e vlerësimit të borxheve të Wall Street-it, “Fitch”, paralajmëroi për një ulje të mundshme të vlerësimit të bonove të SHBA-ve, duke cituar “politikën e përçarjes” si shkaktare të falimentit të vendit.

Republikanët e Dhomës propozuan fillimisht versionin e tyre të një plani të Senatit, për t’i dhënë përkohësisht fund grindjeve politike që kanë paralizuar Kongresin, më pas nisën të grindeshin mes tyre për detajet gjatë pasdites.

Por, menjëherë pasi njoftuan votimin e planifikuar, komisioni i Dhomës që cakton rregullat për procedura të tilla vendosi shtyrjen e dëgjimit të planit, duke vënë në dyshim mundësinë se masat e shtruara do të merreshin në konsideratë nga të gjithë pjesëtarët, brenda natës së të martës.

Presidenti Barack Obama bëri thirrje ndaj republikanëve të Dhomës “të bënin atë që është më e drejtë”, duke rihapur qeverinë dhe duke u siguruar Shteteve të Bashkuara mundësinë për të shlyer borxhet, teksa u shpreh për “WABC” se “nuk kemi edhe shumë kohë për të shmangur falimentin e mundshëm të vendit”.

Çdo propozim i Dhomës do të duhet të kalojë në Senatin e udhëhequr nga demokratët për t’u marrë në konsideratë, ndërkohë që presioni sa vjen e rritet për një marrëveshje përfundimtare, përpara se tregjet financiare të reagojnë ndaj mundësisë së falimentit të parë në historinë e SHBA-ve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA